Flash News

KRYESORE

Nënshkrimi i marrëveshjes Maqedoni-Bullgari, reagon Tirana: Moment historik dhe transformues

Nënshkrimi i marrëveshjes Maqedoni-Bullgari, reagon Tirana: Moment

Me nderimet më të larta shtetërore dhe ceremoni solemne në Shkup, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dhe homologu i tij bullgar Bojko Borisov firmosën marrëveshjen për fqinjësi të mirë, miqësi dhe politikë. Kryeministri Zaev theksoi se ky është një hap historik për Maqedoninë dhe i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së për bashkëpunim dhe bashkim kombëtar.

“Kjo marrëveshje është sukses dhe kontribut i ndërsjellë drejt stabilizimit politik për rajonin dhe më gjerë. U përcaktuam të bëjmë politika për zgjidhje e jo për probleme. Bullgarinë e shohim si partner konstruktiv me synime të njëjta. Miqësia jonë është shembull se si pengesa disavjeçare mund të bëhet motor për zhvillim. Kjo marrëveshje me të vërtetë është rezultat i një pune të kaluar dhe qeveria paraprake ka kontribut serioz” – deklaroi  kryeministri Zoran Zaev, raporton Alsat.

Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Bullgarisë mes tjerash përfshin bashkëpunimin e përbashkët të dy shteteve në procesin e euro integrimit, ndërtimin e politikave të paqes dhe stabilitetit në rajon, bashkëpunim për zhvillim në disa fusha në nivel shtetëror dhe lokal mes dy shteteve si dhe pjesëmarrje e përbashkët në ngjarje dhe figura të përbashkëta historike.

Kryeministri Borisov shprehu kënaqësinë që marrëveshja është arritur pa ndërmjetësues, ndërsa në pyetjen e gazetarëve theksoi se nuk sheh problem në festimin e përbashkët të festës së nesërme shtetërore të Maqedonisë, Ilindenit.

“Pse mos ta festojmë bashkë, nëse doni atëherë të rrihemi. Shumë herë jemi rrahur dhe të gjithë jemi të mëdhenj, Bullgaria e madhe, Shqipëria e madhe, Serbia e madhe, Maqedonia e madhe. Me luftëra bëmë që Ballkani të jetë vendi më mizor dhe më i prapambetur. Ne me homologun duam të shkojmë përpara. Këtë festë edhe ne e respektojmë, më falni që e festojmë”, – tha kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov

Në kuadër të vizitës, ministra nga dy shtetet firmosën edhe memorandum bashkëpunimi për zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore dhe për gaz natyror.

Tirana përshëndet marrëveshjen

Shqipëria ka përshëndetur marrëveshjen e nënshkruar mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e konsideroi marrëveshjen si moment historik dhe transformues. Ai ka theksuar se Tirana e vlerëson këtë arritje që mbështetet edhe nga shqiptarët në Maqedoni.

“Nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë mes Krerëve të Qeverive të Maqedonisë dhe Bullgarisë është moment vërtetë historik. Shqipëria i mirëpret plotësisht gjeste të tilla sa simbolike aq edhe transformuese. Ky është padyshim rezultat i vullnetit të sinqertë të popullit të Maqedonisë dhe qeverisë së saj për ta udhëhequr vendin në drejtimin e duhur. Ne vlerësojmë këtë arritje që mbështetet edhe në kontributin e vazhdueshëm me kah europian të shqiptarëve të Maqedonisë dhe faktorit politik shqiptar atje. Përgëzime të dy qeverive për vendosjen e këtij modeli për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon”, ka deklaruar Bushati.

Gjermania dhe BE përshëndetën paktin Maqedoni-Bullgari

Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë shkaktoi reagime pozitive në BE dhe Gjermani. Në një deklaratë të përbashkët të Federica Mogherinit, e cila është e angazhuar për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe komisionarit evropian për zgjerim, Johanes Hahn thuhet:

“Kjo marrëveshje e tregon përcaktimin e të dy vendeve për tejkalimin e çështjeve dypalëshe dhe paraqet inspirim për të gjithë rajonin. Ky është hap pozitiv drejt marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe e rritë perspektivën e BE-së për Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë në interes të qytetarëve të“

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel deklaroi se Maqedonia dhe Bullgaria kanë nënshkruar marrëveshje historike në Shkup.

“E përshëndes atë që pas shumë viteve negociata të pasuksesshme, u gjet zgjidhje konsensuale për çështjet e hapura”.

VMRO: Pakti me Bullgarinë duhej të ishte më transparent

VMRO- DPMNE-ja opozitare  akuzon LSDM-në se për manipulim me opinionin dhe se nuk mund ta fsheh faktin që nënshkruan marrëveshje të cilat nuk kanë mbështetje nga qytetarët, duke aluduar në marrëveshjen me Bullgarinë.

“Në vend të premtimeve parazgjedhore për debat dhe transparencë, LSDM e tregoi fytyrën e vërtetë dhe nuk lejoi debat publik për marrëveshjen në Kuvend, dhe nuk i mori parasysh vërejtjet dhe propozimet konstruktive, të argumentuara e qëllimmira të VMRO-DPMNE-së për përmirësimin e tekstit të marrëveshjes“, thuhet në reagimin e opozitës, raporton Alsat.

VMRO-DPMNE-ja i ftoi anëtarët e saj të mos marrin pjesë në manifestimet e për shënimin e 2 gushtit që organizohen nga Qeveria, me qëllim që t´i shmangen incidenteve.

Të fundit