Flash News

KRYESORE

Pezullohet padia e Gjin Gjonit ndaj gazetarëve

Pezullohet padia e Gjin Gjonit ndaj gazetarëve

Është vendosur të pezullohet përkohësisht padia e gjyqtarit Gjin Gjoni ndaj gazetës Shqiptarja.com dhe gazetarëve Elton Qyno dhe Adriatik Doci, për shkak se shqyrtimi i padisë së Gjonit sipas gjyqtares është konflikt interesi.

Këtë të enjte u zhvillua seanca e parë ku vetë Gjoni nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga avokati i tij, ndërsa gjyqtarja Muça vendosi që me anë të një shkresë të kërkojë nga kryetarja e gjykatës së Tiranës të verë në lëvizje Këshillin e Lartë të Drejtësisë për transferimin e një gjyqtari jashtë konfliktit të interesit.

Gjyqtarja tha se për shkak se njëri nga paditësit, Gjin Gjoni, është gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe ish-­gjyqtar i Gjykatës së Tiranës e ish-­koleg i gjyqtares, ajo nuk mund të gjykonte çështjen. Ky proces deri në një vendimmarrje nga kreu i gjykatës së Tiranës dhe KLD do të mbetet pezull, ndërsa gjyqtari i apelit Gjin Gjoni njëherazi paditës në këtë proçes prej 2013 është dhe anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Gazeta Shqiptarja.com dhe gazetarët Elton Qyno e Adriatik Doçi janë thirrur nga paditësit Gjoni dhe Elona Çaushi me pretendimin se raportimet e tyre mbi pasurinë e familjes në fjalë dhe mbi hetimet e vendimet gjyqësore mbi këtë pasuri nën dyshimet për pastrim parash e falsifikim, përbëjnë cenim të nderit dhe personalitetit.

Çifti Gjoni ­Çaushi pretendojnë se kanë pësuar dëm jo pasuror nga raportimet sipas tyre të pavërteta dhe kërkojnë dëmshpërblim 2 milionë lekë nga gazeta dhe nga 1 milionë nga secili prej gazetarëve Qyno dhe Doçi.

Të fundit