Flash News

KRYESORE

Refuzimi i marrëveshjes së May, Tusk dhe Juncker thirrje Londrës të qartësojë qëndrimin

Refuzimi i marrëveshjes së May, Tusk dhe Juncker thirrje Londrës

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk bëri thirrje për një zgjidhje pozitive pas kundërshtimit të marrëveshjes për Brexit nga deputetët britanikë. Ai la të nënkuptohet se zgjidhja më e mirë për britanikët është qëndrimi në Bashkimi Evropian.

‘’Nëse një marrëveshje është e pamundur, dhe se askush nuk dëshiron një jo-marrëveshje, atëherë kush ka guximin të thotë cila është zgjidhja e vetme pozitive?’’, deklaroi Tusk, i cili ishte lideri i parë europian që shfaqi qëndrimin e tij pas votimit me një postim në Twitter.

Kundërshtimi nga ana e Parlamentit britanik për marrëveshjen e negociuar të Brexit rrit rrezikun e një divorci pa marrëveshje, paralajmëroi presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

‘’I bëj thirrje Britanisë së Madhe të qartësojë qëllimet e saja sa më shpejt të jetë e mundur. Koha në dispozicion është drejt përfundimit’’, deklaroi presidenti i ekzekutivit europian, pak pas votimit britanik.

Dhoma e Komuneve hodhi poshtë marrëveshjen e divorcit me 432 vota të deputetëve, 202 votuan pro marrëveshjes, pavarësisht një paralajmërimi të fundit të Theresa May për pasigurinë që do të shkaktonte ky refuzim.

Kryeministrja britanike do të përballet sot me një mocion mosbesimi, çka mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme në Britani.

Të fundit