Flash News

KRYESORE

Rrëfen Moikom Zeqo: Përpilova programin e PS, pse Fatos Nano më largoi nga politika

Moikom Zeqo, një nga personalitetet më të njohur të kulturës sonë kombëtare ka rrëfyer periudhën kur u angazhua në politikë, konkretisht me Partinë Socialiste.

Në një intervistë mbi jetën e tij në gazetën ‘panorama’, Zeqo tregon dy ngjarjet e para kulturore që lidhën Shqipërinë me botën, përpilimin e programit të PS dhe përballjen me Ramiz Alinë.

“Gjatë periudhës së socializmit kam punuar si redaktor, mësues ose arkeolog i thjeshtë. Në fund të diktaturës, me propozim të Ramiz Alisë u bëra kryetar i Komitetit të Kulturës së Arteve. Zëvendësova Alfred Uçin, e më vonë ministër i Kulturës në qeverinë Nano 1 dhe Nano 2.

Sa i takon themelimit të PS, unë s’kam qenë në brendi të krijimit, por kujtoj se në muajin prill të ’91-shit kam qenë në zyrën e Ramiz Alisë bashkë me Artan Fugën dhe Maqo Lakrorin ku paraqitëm raportin që do të bëhej në kongresin e 10 të Partisë së Punës, e që u bë kongresi i PS. Pata thënë se duhej hequr emri i Partisë së Punës, pasi partitë lindin dhe vdesin dhe se Shqipëria ka më shumë rëndësi.

Kam qenë përpilues i programit në një kohë që krerët e saj që nga Fatos Nano dhe të therë pas tij, as që e kishin idenë e përmbajtjes së tij. Kujtoj se në formulimin kryesor si një angazhim substancial ka qenë nderimi i vlerave të Luftës Nacional Çlirimtare”, shprehet Zeqo.

I pyetur se pse u largua nga politika pasi mbajti postin e deputetit të PS deri në ’96-ën, Zeqo fajëson ish kryeministrin Fatos Nano.

“Nga politika më largoi Fatos Nano  prej kapricove të tij. Unë isha ministër i tij u kulturës, por kur u ktheva nga Amerika ku gjatë viteve 96-97 isha për studime, ai vendosi që unë të mos kish asnjë post pavarësisht angazhimit tim intensive ’92-1996. Dhe meqë mbeta pa punë, pensioni im i jetës asokohe më doli më pak se 15 mijë lekë, pasi shumë vite nuk llogariteshin, si periudha në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, pasi ishin mbyllur administratat. Ishte e tmerrshme”, shprehet shkrimtari.

Të fundit