“Trajtime preferenciale për ‘të fortët’ e dënuar? Drejtori i Burgjeve: Po ka patur, s’guxonte kush t’i kontrollonte

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili ka pranuar se disa të dënuar, të cilësuar edhe si ‘të fortë’ pas qelive, kanë patur trajtime preferenciale në dallim me të tjerët.

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare me kreun e burgjeve, Ismaili iu përgjigj pyetjeve të deputetëve në komision. Spartak Braho e pyeti ndër të tjera nëse ka trajtime preferenciale mes të dënuarve. Ismaili e pranoi këtë fakt, duke shtuar se ‘s’guxonte askush t’i kontrollonte, ose i kontrollonin pak, por për këtë do merren masa.

“Po, ka patur trajtime preferenciale për të burgosurit, që konsistonin te nr i takimeve, dhomë e veçantë me miq e e të afërm, në ushqime e telefonata.

S’guxonte kush ta kontrollonte, ose e kontrollonin pak. Kanë marrë goditje të fortë. Takimet sic e ka ligji sot 4 takime në muaj dhe asnjë i burgosur s’do kete më shumë se kaq takime”, tha drejtori i Burgjeve, duke shtuar se vetëm ai mund të kerkojë takime shtesë për arsye të veçanta, por gjatë muajit gusht ka patur vetëm dy kërkesa të tilla.

“Do ta thellojmë këtë fakt që të jenë të gjithë të burgosur si të tjerët dhe të barabartë me ligjin”, tha Ismaili në Komision.