Flash News
Grupi parlamentar i PD dorëzon në Kuvend propozimin: Pensioni të rritet në 300 euro
Vendimi për çështjen e vulës, Bardhi: Gjykata e Lartë t’i japë fund absurdit, PD i përket anëtarëve të saj
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Alfred Lela
Radio Tirana e dikurshme jepte koncertino me 'muzikë dhome', një instrumentale me muzikë klasike, intime dhe me pjesëmarrjen e pak instrumenteve, ndoshta dy-apo tre. Një mënyrë e mirë për të fjetur gjumë në orët e vona të natës, një lloj ninulle për të rritur.
Një asossacion i tillë të vjen në mend kur ndjek turin 'Rrugëtimi për Shqipërinë' i saponisur nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Dje ishte në Vlorë dhe sot është në Krujë, në një road show që me sa duket do t'i kapë të gjitha qytetet shqiptare. Në fokus janë të rinjtë dhe me ta janë menduar edhe takimet e kryetarit më të ri të një prej partive më konservatore në Shqipëri.
Basha vjen te këto takime (që zhvillohen në mjedise të vogla, ai i Vlorës u zhvillua në një bar, për shembull), te këto koncerte me 'muzikë dhome', pas një tramundane politike të shkaktuar me djegien e mandateve dhe një radhë protestatsh që kapën vëmendjen e medias botërore. Në finale, partia që ai drejton dhe koalicioni opozitar që është rreshtuar me të, vendosën mospjesëmarrjen në zgjedhjet e fund-qershorit, të cilat u zhvilluan rrjedhimisht në formën e votimeve, dhe lëshuan në duart e mazhorancës ndërkohë absolute të Ramës të gjitha bashkitë e Shqipërisë.
I penguar nga amerikanët për të 'djegur' edhe 25 qershorin ashtu si dhe mandatet, Basha e la korrikun dhe gushtin të rrëshqisnin si dy të sëmurë rëndë drejt vdekjes, i ndihmuar edhe nga temperaturat e larta, duke premtuar rikthimin e protestave në shtator. Dy muaj pas premtimit për to, shefi i demokratëve ka vendosur nisjen e 'Rrugëtimit për Shqipërinë' i cili ngjan më shumë me një mënyrë për të rikalibruar kohën në favor të pritjes.
Basha u ka dhënë demokratëve dhe opozitarëve disa shenja se, strategjia e radhës nuk janë më protestat por përgatitja për zgjedhjet e radhës, të cilat ai ka lënë të kuptohet se do jenë të parakohëshme. Edhe ky tur qarkullon nëpër Shqipëri nën shenjën e kësaj shprese.
Edhe pse me Bashën shpresat nuk mund të jenë kurrë më shumë se të vagullta, ai duket se nuk ka opsione të tjera. Me djegien e mandateve, protestat e prag-dhunshme, mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, ai nuk mund të shpikë, aktrojë apo modelojë asgjë të re më të madhe dhe më habitëse se sa ato aksione që tashmë gjenden në të shkuarën.
I mbetur duarbosh, dhe pa ndonjë spikamë kreativiteti në komunikimin publik, shefit demokrat i duhet të rishpikë rrotën politike. Ose të presë atë tjetërën: që të jetë rrota politike që rishpik Bashën. Do të thotë, të lindë një ngjarje që është më e madhe se Rama, se ai dhe se vetë Shqipëria.
Me sytë nga kjo shpresë nukleare Lulzim Basha do të jetë duke luajtur 'muzikë dhome' nëpër Shqipërinë e kthyer në një dhomë çmendine prej së cilës duan të ikin të gjithë.
Një koncertino intime që nuk premton asgjë, por, të paktën, as gënjen kënd.