Vendimi i Ramës për lojërat e fatit/ Video me fakte të reja: Pas këtij ligji fshihet një koncesion

Pas vendimit të qeverisë ‘Rama’ për largimin e lojërave të fatit ka patur një sërë reagimesh.

Nisma Thurje ka publikuar një video, përmes të cilës nënvijëzon se ky vendim i qeverisë është i dyshimtë dhe se pas këtij ligji fshihet një tjetër koncesion, siç ka ndodhur me Check-Up-in, me atë të rrugëve, të kioskave, të laboratorëve etj.
“Edi Rama nuk po mbyll lojërat e fatit, por po i transferon ato te miqtë e tij. Pas ligjit fshihet një tjetër koncesion/monopol I cili synon të transferojë miliardat e bixhozit në vetëm një kompani të quajtur BastArena, e cila do të paguajë shumë më pak taksa dhe paratë do i çojë jashtë Shqipërisë.
Kjo nuk është një reformë e as bëhet për të zhdukur efektet e bixhozit, por thjesht dhe vetëm për të krijuar një tjetër monopol, siç u bë me incenerimin e plehrave, me koncesionin e Check-Up, me atë të rrugëve, të kioskave, të laboratorëve etj.
Nëse nuk reagojmë, kjo aferë do na rrezikojë të gjithëve dhe vendi rrezikon të shndërrohet në një arenë gjigante kumari”, sqaron Nisma, por ndiqni videon, për të kuptuar më tepër nga këto fakte.