Vetëvendosje marshim në Tiranë: Shqiptarët janë të pakënaqur me qeverisjen, e kanë shprehur me protesta dhe emigrim

Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Shqipëri paralajmëron se më 28 nëntor do të zhvillojë një marshim në Tiranë.

‘Marshim për bashkim’ dhe bashkim kauzash me hapa drejt integrimit kombëtar është cilësuar nisma që do të mbahet ditën kur u shpall pavarësia në Shqipëri.

Sipas VV, kjo ditë nuk duhet të shihet nga shqiptarët si festë, por si një projekt i pazbatuar.

“Shqipëria sot nuk është e begatë, shqiptarët nuk janë të bashkuar. Prandaj, 28 Nëntori është projekt i gjallë, që thërret për ndryshime sociale, ekonomike dhe politike, për rritje të sigurisë e për përparim shoqëror”, thuhet në njoftimin e VV.

Po ashtu, sipas lëvizjes, qytetarët e Shqipërisë janë të pakënaqur nga kjo situatë, dhe e kanë shprehur indinjatën e tyre me protesta, por edhe me largime masive nga vendi.

“Mërgimi masiv është përgjigje e dëshpëruar ndaj mënyrës së qeverisjes, politikave neoliberale ekonomike, dhe dështimit të drejtësisë e sigurisë. Ka patur vende të tjera, që problemin e mërgimit e kanë patur edhe më të madh, por duke investuar në prodhim e duke ndërtuar shtet të së drejtës i kanë përmbysur trendet negative demografike. Shpopullimi mund dhe do të përmbyset nga vetë shqiptarët me vullnet e me sakrifica për një organizim të qëndrueshëm që sjell transformimin e shoqërisë me modele ekonomike që ulin pabarazinë dhe sjellin zhvillim”, thuhet në njoftim.