Zbardhen angazhimet e sakta për tërmetin, donacione janë 296 mln euro, ose 26% e totalit

Komisioni Europian ka dhënë informacion lidhur me ndarjen e angazhimit prej 1.15 miliardë euro, që Shqipëria përfitoi si mbështetje për rimëkëmbjen pas tërmetit.

Sipas Komisionit, nga kjo shumë totale, donacione janë rreth 296 milionë euro, ndërsa huatë totale arrijnë në 853 milionë euro. 3 .4 milionë euro të tjera janë të ashtuquajtura in-kind (ndihma që jepen direkt në mallra-shtëpi ose shërbime).

Shuma e marrë hua përbën 74% të angazhimit total të përfituar; 25.6% është donacion dhe 0.4% është angazhimi në produkte konkrete.

Huaja

Shtetet anëtare të BE-së, Komisioni Europian dhe Banka Europiane e Investimeve kanë dhënë gjithsej 246 milionë euro, nga të cilat 60 milionë euro është dhënë nga Franca, 86 milionë euro nga Italia dhe 100 milionë euro nga Banka e Zhvillimit të Këshillit të Europës.

Institucionet financiare ndërkombëtare kanë dhënë:

BERZH- 18 mln euro

Banka Europiane e Investimeve-              100 mln euro

Grupi i bankës Botërore                106 mld euro

383 milionë euro janë dhënë nga banka Islamike për Zhvillim.

Donacionet

Komisioni Europian është donatori më i madh (115 mln euro), i ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe (70 mln euro), Turqia (44.7), Gjermania (11), Zvicra (9), Suedia (5.7), Italia (5).

Japonia ka preferuar ta japë ndihmën në formën in-kind, në shumën prej 1.9 milionë eurosh.

 

 

 

 

 

 

Bosnja jep njësoj sa Algjeria

Fqinjët janë tregues dorështrënguar.  Me përjashtim të Serbisë (2 mln euro), dhe Kroacisë (1 mln euro), Maqedonia ka dhënë 100 mijë euro, Bosnja 50 mijë, Mali i Zi 500 mijë euro.

Shtete të tjera të largëta janë treguar më dorëlëshuar. Algjeria ka dhënë 50 mijë euro, Omani 922 mijë euro, Azerbajxhani ka dhënë 500 mijë euro. Brunei ka dhënë 33 mijë euro. Monitor