Flash News

KRYESORE

Arrestimi i Moisi Habilajt, Elisa Spiropali i vë vizën Saimir Tahirit, por përpiqet të mohojë atë që vetë ish-ministri nuk e mohon

Arrestimi i Moisi Habilajt, Elisa Spiropali i vë vizën Saimir Tahirit,

Deputetja dhe njëkohësisht zëdhënësja e PS, Elisa Spiropali ka reaguar pas deklaratës së kryeopozitarit Lulzim Basha, për arrestimin e Moisi Habilajt në Itali, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Spiropali është përpjekur të mohojë në reagimin e saj lidhjen e Tahirit me të arrestuarin dhe familjen e tij, fakt që nuk është mohuar nga vetë ish-ministri. Por një moment akoma më interesant në deklaratën e Spiropalit është klasifikimi i Tahirit si pjesë e së shkuarës pasi  ajo thotë se ‘plaga e vjetër’ (marrëdhënia Tahiri-Habilaj), nuk është më pjesë e ‘qeverisë së re’ (Rama 2).

Kjo deklaratë e Spiropalit është një tjetër goditje e fortë për Tahirin, pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për ta lënë jashtë qeverisë së re 'ministrin më të suksesshëm' të qeverisë së vjetër.

Përndjekja për shkak të Habilajve, flet Dritan Zagani: U arrestova nga Tahiri; a e do mbështesë ish-ministri sekuestrimin e pasurisë?

Reagimi:

Humbësit serial Lulzim Basha i kujtohet që është kryetar opozite sa herë merr habere trafikimi e arrestimi! Për çdo të arrestuar ky gjen lidhje me Edi Ramën; zbulon kushërinj deputetë; akuzon kundërshtarë politikë. Për çdo plagë të vjetër, ky e ve gishtin tek qeveria e re!

Lum si ky njeri! Nuk merr asnjë përgjegjësi si shqiptar, qytetar, politikan, kryetar, por ngaqë s'ka çfarë të bëjë tjetër ngaqë shqiptarët i besuan çelësat e kashtës, nis e bën qysh tani një gjë që duhet ta bëjë të paktën pas tetë vitesh, fushatë elektorale jashtë kohe me shpresë se në këtë mënyrë do vijë në pushtet pas nja 16 vjetësh. Lul Basha ka shkëputur komplet lidhjet me orën dhe busullën, kohën dhe hapësirën.

Që Lulzim Basha është fatkeqësia e Partisë Demokratike e kanë thënë themeluesit e PD me zë e me figurë. Po qenka më keq. Nga humbja në humbje, po kthehet në fatkeqësinë e institucionit të opozitës.

Të fundit