Flash News

KRYESORE

Arta Marku nuk bindet pavarësisht lutjeve të Ramës

Arta Marku nuk bindet pavarësisht lutjeve të Ramës

Pavarësisht se kryeministri Edi Rama e pranoi haptaz se ishte ai përgjegjësi për manipulimet spektakolare të votave në secilin proces zgjedhor, Prokuroria deklaroi për mediat se ai nuk ka sjellë ende prova bindëse se ai është realisht autori i këtij megaskandali.

“Me të dhënat që kemi deri tani, Rama nuk na ka bindur akoma me qartësi dhe pa dyshime, se ai ka ndërhyrë në proceset zgjedhore për të blerë me 30 mijë lekë copa, votat e shqiptarëve në Durrës, Dibër, Lezhë e gjetkë. Kjo, pavarësisht sesa herë Rama ka ulëritur në kupë të qiellit duke thënë: Po, unë Edi e organizova skemën, ja edhe dëshmitë me audio dhe video”, deklaroi Prokuroria.

Prokuroria pohoi se Rama, shtrirë përdhe dhe duke e kapur nga këmbët, bërtet se ai është fajtori dhe rrëfen të gjithë detajet e skandalit ku iu bë shantazh votuesve, mësuesve, mjekëve, ku u përdorën institucionet publike dhe çdo makinacion e kombinim përfshi përfshirjen e botës kriminale për të shtrembëruar vullnetin e shqiptarëve.

“Por ama, ne na duhen fakte të plota, jo llafe”, tha Prokuroria. Institucioni i akuzës konfirmoi se derisa Rama të faktojë jashtë çdo dyshimi se ka kryer vërtet skandalin në fjalë, ai do të vazhdojë të mbetet kreu i qeverisë si dhe ideatori dhe truri i reformës e cila më në fund e ka çliruar drejtësinë nga kthetrat e politikës.

*Ky është një shkrim satirik i Maçoku i zi.

Të fundit