Flash News

Bota

ANALIZA/ Koronavirusi po ndryshon rendin botëror

ANALIZA/ Koronavirusi po ndryshon rendin botëror

Boshko Jaksiç/ Politika

Vazhdon ende goditja frontale e kovidit ndaj shëndetit, politikës globale, ekonomisë dhe jetës shoqërore. Ndërsa zhvendosen dimensionet e këtij tërmeti, bëhet e qartë se korona tashmë është shndërruar në katalizatorin e krijimit të një bote të re bipolare: Amerika dhe Kina.

Korona zbuloi masën në të cilën janë braktisur idetë e drejtësisë sociale. I dha një goditje të rëndë multilateralizmit. Ishte aleate e antiglobalistëve dhe mbështetëse e shteteve-komb. Shkatërroi ëndrrën mbi integrimet pa kufi. Bëri të mundur që rregjimet autoritare të bëheshin jo vetëm më të shumtë, por edhe më represivë.

Megjithëse është bërë gjithnjë e më e qartë se sfida globale kërkon një përgjigje globale, virusi vazhdoi të gërryejë rendin botëror ekonomik, duke treguar se ky nuk është i përgatitur sa duhet dhe si duhet për t’u përballur në mënyrë adekuate me megaepidemitë apo me ndryshimet klimatike.

Shtetet u sollën sikur virusi të ishte ekskluzivisht i tyri: mbyllën kufijtë, grumbulluan rezerva pajisjesh mbrojtëse, vendosën kontroll mbi eksportet. Ishte e dukshme se asnjëra prej fuqive të mëdha nuk kërkonte zgjidhje në sistemin multiteral që ishte reduktuar në një gjendje të mjeruar.

Kovidi-19 i’u turr demokracive udhëheqëse të Perëndimit duke i gjetur të papërgatitura. Dy dhjetëvjeçarët e parë të këtij shekulli, në kohën e krizës së madhe financiare, SHBA-të morën mbi vete rolin e liderit dhe bënë të mundur që edhe aleatët t’i ndiqnin. Duke e kuptuar rrezikun, atyre iu bashkua edhe Kina.

Sot Kina është tejet më e sigurtë në vetvete dhe kërkon rastin që, duke kapitalizuar me simptomat e treguara të mosorganizimit dhe mungesës së solidaritetit në Perëndim, ta ndryshojë rendin botëror në favor të saj.

Në fillim të pandemisë, Kina u mbështet në “diplomacinë e maskave”, pastaj në promovimin agresiv të superioritetit të sistemit komunist të “efikasitetit të centralizuar”. Anketimet e opinionit publik të atyre ditëve flisnin për prirjen e përgjithshme drejt liderëve të fortë që ishin në gjendje të përballeshin me krizën. Kina paraqitej si shpëtimtare.

Donald Trampi në këtë kohë hodhi në publik konceptin e “virusit kinez” dhe akuzoi Pekinin për fshehjen e infeksionit, kësisoj korona u shndërrua në element të luftës së tyre tregtare. Konflikti u tejçua edhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë të cilën administrata e Trampit e braktisi në mënyrë demonstrative.

Ndërkohë, Amerika ka një president në ri. Xhozef Bajdeni paralajmëroi rinovimin e aleancës së tronditur me partnerët e BE-së dhe NATO-s. Nuk ka as një dyshim se diplomacia do ta bëjë pjesën e saj të punës në kthimin drejt multilateralizmit. Ndryshe qëndron puna me Kinën e cila është në qendër të kritikave për shkak të goditjeve kundër lirive qytetare nga Hong Kong deri në Sinxhang. Gjatë fushatës Bajdeni e akuzoi Trampin se ka qënë tejet “i butë” ndaj Pekinit.

Kina është tashmë pjesëmarrëse aktive e marshit të politizuar të vaksinimit. Nga India, nëpërmjet Hungarisë, Serbisë dhe Turqisë, deri në Brazil, është duke u zhvilluar fushata e fuqishme e Pekinit. Ndërsa prodhuesit perëndimorë po përpiqen të përmbushin kërkesat e tregut, Kina po u dërgon miliona vaksina vendeve që janë në krye të radhës duke pritur vaksinat nga Perëndimi.

Bajdeni nuk ka për të lejuar që sistemi global shëndetësor “rruga e mëndafshtë” të sendërtojë parashikimet e shumicës së europianëve që mendojnë se Amerika tashmë ka rënë dhe në dhjetëvjeçarin që vjen Kina do të jetë më e fuqishme. Uashingtoni nuk do të heqë dorë nga ambicjet që të pengojë Kinën për t’u bërë fuqi botërore numër një, megjithëse Kina është një ekonomi e madhe që shmangu rënien në vitin 2020, shënoi një rritje të PBB-së me 2,1%, ndërsa këtë vit pritet 8,2%, gjë që tregon se është në rrugë solide që në vitin 2028 t’ia kalojë SHBA-ve.

Rivaliteti i dy ekonomive udhëheqëse shenjon kësisoj rendin e ri botëror në lindje e sipër, megjithëse ka interpretime të ndryshme të këtij konfikti. Disa janë të bindur se ideologjia po kthehet me të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe se po forcohet beteja mes demokracisë dhe autoritarizmit.

Disa të tjerë vlerësojnë se konflikti dallon ndjeshëm nga përballja ideologjike e kohës së garës amerikano-sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë. Në këtë rast nuk është fjala për konflikt mes kapitalizmit dhe socializmit, por është luftë për mbifuqi ekonomike dhe financiare.

Është ende tejet herët të thuhet nëse korona do të sjellë një luftë të re të ftohtë mes Amerikës dhe Kinës, por trajektorja e raporteve mes tyre flet gjithsesi për konfrontime të reja. Kina është ende akoma larg për ta zëvendësuar Amerikën si superfuqi, në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për fuqinë ushtarake, por në botën paskoronë ajo do të jetë e gatshme të garojë për këtë titull.

Në kontekstin e këtij rivaliteti, nuk është e thënë që organizatat ndërkombëtare kanë për ta mbajtur statusin e arenës në të cilën zhvillohen lojërat gjeopolitike. Shumë, përfshirë këtu Rusinë, dhe Kinën, dëshirojnë ta ruajnë rendin që u mundëson të ruajnë pozicionet e tyre.

Nuk ka dyshim se sistemi i ri bipolar përbën një sfidë të madhe edhe për Rusinë. Duke ruajtur partneritetin strategjik, Rusia dhe Kina janë dakord që duhet ndryshuar rendi i cili ka në qendër SHBA-të dhe Europën, por Moska gjithsesi nuk do të donte të rreshtohej në ndonjërën prej palëve në konfliktin mes demokracive dhe autoritarizmit e kësisoj shmang të bëhet anëtare e bllokut që udhëheq Kina.

Duke patur parasysh vartësinë ekonomike, teknologjike dhe financiare në rritje e sipër të Rusisë nga Kina kjo gjithsesi nuk përjashtohet, por është për t’u pritur që rrymat e politikës së jashtme ruse të orientohen më shumë drejt Europës, Indisë dhe Japonisë.

Sfida të mëdha qëndrojnë edhe para Bashkimit Europian. Pas një viti krize, BE-ja shfaqi mangësi në sistemin e qeverisjes, menaxhimit të krizës dhe efikasitetit të mekanizmit të vendimmarrjes. Krahasimi i Unionit si paradigmë e vlerave liberale po kërcënohet nga rritja e forcave euroskeptike dhe presionet e Rusisë dhe Kinës. Koronavirusi ngriti mure të rinj dhe solli kufizime në lëvizje.

Nëse kovidi-19 kontribuoi në rrëzimin e presidentit të Amerikës, ka mundësi edhe ta ndryshojë ndjeshëm botën. Është krijuar një prirje në rritje e ndërlidhjes dhe ndërvartësisë. Globalizimi do të kërkojë forma të reja, më humane. Kthimi te nacionalizmi as është real dhe as është i dëshirueshëm.

Pandemia po zgjon demokracitë  e përgjumura të Perëndimit dhe po u kujton atyre se vetëm nëpërmjet ndërveprimit mund të sigurohet shëndeti i njerëzve, begatia dhe drejtësia shoqërore për qytetarët e tyre, gjëra që duket sikur i kanë pas harruar. 

Lindja mbetet Lindje. Ballkan i Perëndimor është para sfidës për tu njohur me zhvendosjet tektonike.

Rendi botëror ka tendencë që në fillim të ndryshojë gradualisht dhe më vonë menjëherë dhe plotësisht. Le ta shohim.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit