Flash News

Ditari i Opozitës

Platforma e Bashës një kopje e Manifestit të Kadillit. A vodhi kryetari i PD idetë duke lënë jashtë autorin?

Platforma e Bashës një kopje e Manifestit të Kadillit. A vodhi

Në fjalimin e djeshëm para Këshillit Kombëtar të PD, forum të cilit i kishte propozuar edhe lidershipin e ri të partisë, Lulzim Basha ka hedhur disa ide për të ardhmen të cilat i ka titulluar ‘Platforma qytetare për demokracinë’. “Ne do të ndërtojmë në bashkëpunim me të gjitha grupet shoqërore që duan një ndryshim cilësor të jetës politike dhe ekonomike në vend”, thotë Basha duke sqaruar thelbin e Platformës. Më tej në fjalim ai parashtron edhe etapat e kësaj platforme që janë:  

-Ndryshime kushtetuese  

-Reforma zgjedhore dhe territoriale

-Referendumet lokale dhe kombëtare

-Hapja e partisë

-Shembulli moral

Politiko vëren ngjashmëri të forta mes Platformës qytetare për demokracinë dhe Manifestit politik, një paketë propozimesh paraqitur që para zgjedhjeve në PD nga një nga kandidatët për kryetar të partisë, Fatbardh Kadilli. Basha në Platformë ka ekzaktësisht katër nga pesë pikat e Manifestit, duke lënë jashtë vetëm një: mbështetjen për Reformën në drejtësi. Për kujtesë, Manifesti është publikuar në maj, disa muaj para Platformës së Bashës.

Më poshtë janë pesë pikat e Manifestit të Kadillit dhe lexuesi mund ta bëjë vetë krahasimin:

Sfida e parë është Drejtësia. Në dukje më e harruara dhe më e vonuara. Partia demokratike duhet të shpallë qartë pa ekuivoke, me kurajo dhe ndershmëri se mbështet fuqishëm institucionet e drejtësisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në misionin e saj për të pastruar politikën, PD dhe opozita nuk kanë dhe nuk mund të gjejnë aleat më të fortë, më efiçient se sa partneriteti me institucionet e drejtësisë. Korrupsioni dhe krimi nuk luftohet vetëm me deklaratat nga foltorja e PD. As me akuza dhe sulme politike. Këto e relativizojnë dhe e banalizojnë të keqen.

Sfida e dytë - Një kod i ri zgjedhor. Jo më larg se një vit nga sot ne duhet t’i japim shqiptarëve një sistem të ri zgjedhor. Ne duhet të propozojmë një sistem zgjedhor që ngrihet mbi interesat e të gjithë garuesve, pa përjashtim, duke zvogëluar monopolin e kryetarëve duke ua lënë në dorë të lirë qytetarëve që të zgjedhin deputetët e tyre. Ndryshe, «beteja për votën» është një retorikë pa fund, bajate.

Sfida e tretë - ndarja e re administrative. Ndarja e sotme administrative reflekton interesat elektorale të partisë socialiste në kompromis me LSI dhe PDIU. Ne nuk na duhet një ndarje e re administrative që bëhet si llogari elektorale mes partish. Ne duhet të korrigjojmë bojkotin absurd që i bëmë reformës në 2014. Pozicioni ynë duhet të mbështetet në propozimet e instituteve dhe qendrave kërkimore dhe të Shoqatës së Komunave që ishin larg nga llogaritë elektorale.

Sfida e katërt – të ribalancojmë institucionet kushtetuese. Ndoshta duhet rishkruar e gjithë kushtetuta. Ne duhet të shpallim që jemi për balancë të pushteteve që vjen nga forcimi i pavarësisë dhe autoritetit të çdo pushteti. Pavarësia e pushteteve vetvetiu balancon. Çdo pushtet duhet të burojë nga sovrani dhe jo nga ekuilibri dhe negociata politike e ditës apo e stinës. Ne duhet të synojmë që të ndahet përfundimisht legjislativi nga ekzekutivi.

Sfida e pestë - Qytetarit t’i kthejmë sovranitetin. Ky sovranitet kthehet me një ligj të ri për referendumet. Referendumet duhet të jenë baza e demokratizimit të jetës tonë. Demokracia ushtrohet nëpërmjet pjesëmarrjes dhe pjesëmarrja shprehet më mirë se kudo me votë. Sa më shumë të votojnë shqiptarët aq më shumë do ta mësojnë demokracinë. Aq më shumë do të ndihen të përgjegjshëm për votën e tyre. Aq më shumë do të mësojnë shqiptarët të jenë konkurues kur janë pakicë, dhe të dinë të sillen të përgjegjshëm kur janë shumicë.

Politiko ka kontaktuar Zyrën e Shtypit të Partisë Demokratike për një koment mbi këtë vëzhgim të gazetarëve të saj, por nuk ka marrë përgjigje.

Me sa duket, Basha ka vendosur të kopjojë idetë e rivalit të tij në garën për kryetar, por të lërë jashtë autorin e tyre. Kadilli u la jashtë përzgjedhjes së Kryesisë së re të Partisë Demokratike, ashtu si edhe të gjithë rivalët e tjerë të Bashës. Bujar Nishani, një nga zërat më të ashpër kritikë humbi edhe postin honorifik të kryetarit të Këshillit Kombëtar, ndëra Edit Harxhi nuk figuron në asnjë prej forumeve të reja të partisë. E njëjta gjë i ndodhi edhe Agron Shehajt, i cili grumbulloi më shumë vota pas Bashës i cili fitoi me mbi 80 përqind të votave.

Më poshtë keni fjalimin e plotë të Bashës dje në mbledhjn e Këshillit Kombëtar:

Si fillim dua t’u uroj mirëseardhjen anëtarëve për herë të parë në Këshillin Kombëtar, që këtë vit është pasuruar me më shumë të rinj dhe të reja, me më shumë zonja dhe zonjusha.

Beteja të mëdha kemi bërë gjatë këtyre viteve, e të tjera kemi përpara, pasi ajo që ishte e vërtetë para 25 prillit është e vërtetë edhe sot. Shqipëria ka ngecur në vend numëro, peng e qeverisë më të korruptuar në mbarë Europën, që punon kundër interesave të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

Masakra zgjedhore nuk u dha asnjë zgjidhje qytetarëve. Problemet e tyre nuk janë më të vogla, por më të mëdha, nevoja e tyre për një jetë të më të mirë nuk është përmbushur, por kërcënohet nga i njëjti model që shkaktoi varfërimin dhe largimin e më e të paktën 500 mijë shqiptarëve.

Prandaj, përballë zgjidhjes së munguar dhe ndryshimit të mohuar përmes atyre mjeteve që ju i njihni më mirë se kushdo tjetër, ne kemi përgjegjësinë për të luftuar për njerëzit e këtij vendi, për të qenë pranë tyre për problemet e vogla e të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkarisht vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie.

Detyra e secilit prej nesh është të bëhemi zëri i qytetarëve, duke mos harruar për asnjë çast të vetëm se kush jemi dhe çfarë përfaqëson Partia Demokratike. Mos harroni se edhe kur kishim kundër nesh të gjithë shtetin, oligarkët, krimin e organizuar, ne, të gjithë bashkë arritëm t’u japim shqiptarëve shpresë.

Prandaj duhet të luftojmë me gjithë forcën tonë për ta mbajtur gjallë këtë shpresë dhe të jemi krenarë për atë cfarë kemi arritur, pa përdorur asnjë mjet të paligjshëm, pa blerë vota, pa shantazhuar njerëzit, pa u ndotur me krimin dhe llumin e shoqërisë, siç ka bërë kundërshtari ynë, por vetëm me forcën e besimit tonë, duke mishëruar vlerat për të cilat kjo Parti ka lindur dhe jeton.

Ndaj mbajeni kokën lart. Mos lejoni që jermi antiopozitar që ka për qëllim goditjen e Partisë Demokratike si të vetmen shpresë për njerëzit e këtij vendi, të jetë më i fortë se bindja e secilit prej nesh se modeli që kemi zgjedhor, autoriteti moral që kemi fituar, nuk buron nga muskujt e krimit, nga paratë e koncesioneve apo nga shkrirja e partisë me shtetin.

Por nga besimi që ne kemi te vlerat tona, falë të cilave kemi qëndruar edhe në ditët më të errëta të këtyre tre dekadave, pa u thyer, pa u lodhur, pa e humbur vullnetin për të luftuar për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Reformimi i PD në funksion suksesit të betejës tonë kundër këtij regjimi të korruptuatr dhe për të sjellë ndryshimin që njerzit presin me padurim

Në 25 prill, shqiptarët na besuan dhe na dhanë forcë. Po ashtu demokratët, që ne sot përfaqësojmë në këtë sallë, na besuan në proceset e brendshme dhe kërkuan vijimin e përballjes për të shpëtuar demokracinë dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri. Ne kemi detyrën që këtë vullnet të shqiptarëve dhe të demokratëve ta kthejmë në aksion politik.

Prandaj sot, jemi mbledhur për të përfunduar këtë fazë të parë të reformimit tonë të brendshëm në funksion të suksesit të betejës tonë kundër këtij regjimi të korruptuar, dhe për të sjellë ndryshimin që njerëzit presin me padurim dhe që ju mohua dhunshëm në 25 prill.

Ekipi i ri, në nivelet e ndryshme drejtuese të Partisë, ka detyrën të çojë përpara me vendosmëri betejën për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Kemi mbi supe një sfidë që nuk është thjesht partiake, apo opozitare, por kombëtare. Ajo për clirimin e zgjedhjeve dhe thyerjes së zinxhirëve të krimit, oligarkisë dhe të shtetit të shkrirë me to, që po shtrëngon eshtrat e drobitura të një Shqipërie që kërkon shpëtim.

Kjo është një sfidë që kërkon pak fjalë dhe shumë punë, pak retorikë dhe shumë politikë të ngritur mbi idetë tona, idetë e themeluesve tanë që e ndërtuan këtë parti në antipod me cdo gjë që përfaqësonte regjimin totalitar, e që sot më shumë se kurrë duhet të shërbejnë si ylli ynë Polar.

Jam krenar që në këtë ekip do të kemi më shumë gra në detyra të rëndësishme, me profile të spikatura që e bëjnë Partinë Demokratike më gjithpërfshirëse, jo për shkak të kuotave gjinore që shpesh herë ngatërrojnë sasinë me cilësinë e përfaqësimit, por si vlerësim të profesionalizmit, integritetit dhe përkushtimit të tyre. Mirënjohje për angazhimin tuaj fisnik dhe suksese.

Të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në pozicionet e ndryshme drejtuese kanë mirënjohjen time dhe të demokratëve. Pres që harmonizimi i kontributeve të reja dhe ekzistuese të jetë në përputhje me pritshmëritë e demokratëve dhe shqiptarëve.

Në kushtet e kapjes gati totale të mediave, propaganda e kthen çdo gjë që është e lavdërueshme mes nesh, nga kërkesat për përsosje të mëtejshme te kritikat konstruktive, në një vorbull marramendëse, që na shtyn larg interesit publik duke na portretizuar në mënyrë të gënjeshtërt si të dobët apo në krizë.

Ne nuk duhet ta pranojmë këtë përmbysje të së vërtetës. Sepse të marrësh numrin e votave që ne morëm në 25 prill, pavarësisht krimit, oligarkëve, patronazhistëve, partisë të bërë njësh me shtetin, ndryshimeve të njëanëshme kushtetuese, do të thotë se përkundër të gjithave, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar.

Kështu që mos lejoni të hidhet poshtë mundi i demokratëve, mos lejoni të hedhin poshtë mundin tuaj, mos lejoni që e keqja të relativizohet, por le të punojmë fort, me vetëdijen se të gjithë bashkë kemi mundësuar një arritje të madhe pa pasur asnjë pushtet, të vetëdijshëm gjithashtu se i kemi të gjitha mjetet e nevojshme për ta zhbërë këtë padrejtësi që nuk i është bërë vetëm demokratëve, por mbarë shqiptarëve.

Vëllezër dhe motra, ajo që na pret është një përballje e gjithanshme me regjimin.

Të gjithë e dimë që masakra e 25 prillit vetëm sa e thelloi krizën politike, ndërsa kundërshtari që kemi përballë, është zhytur edhe më thellë në bashkëpunimin e tij me krimin dhe oligarkët, të cilëve tani duhet t’iu paguaj haraçin për shërbimet që ata i bënë në shkatërrimin e zgjedhjeve.

Këtë faturë nuk do ta paguajë Rama, por shqiptarët. Zullumi vetëm trashet, korrupsioni vetëm bëhet edhe më kërcënues, krimi edhe më i epërm në arrogancën e tij përballë një shtetit të gjunjëzuar, ndaj dhe përballja me ta duhet të jetë e fortë dhe frontale.

Kjo përballje do të zhvillohet në cdo fushë të jetës politike dhe shoqërore, brenda dhe jashtë parlamentit, në mbrojtje të gjithckaje që kërcënohet nga kjo pakicë e korruptuar.

Qëllimi kryesor i aksionit tonë është ta bëjmë Shqipërinë një vend të jetueshëm me mundësi për çdo shqiptar që sot po braktis vendin, dhe për të arritur këtë duhet të përfshijmë çdo qyetare dhe çdo qytetar të këtij vendi.

Është detyra jonë të organizojmë shumicën e shqiptarëve dhe rruga për ta bërë këtë është ajo me të cilën ndezëm të gjithë bashkë shpresën dhe besimin në zemrat e njerëzve për ndryshim: duke iu dhënë prova se nuk u futëm në beteja vetëmohuese, duke hequr dorë nga cdo pushtet dhe cdo privilegj, për veten apo për karriket tona, por e kemi bërë dhe vazhdojmë ta bëjmë për Shqipërinë, për demokracinë dhe për shqiptarët, që janë viktimat kryesore të masakrës zgjedhore dhe të modelit të Edi Ramës.

Jeta e tyre preket nga pasojat që ka prodhuar ky model shkatërrimtar. Ekonomia lëngon për shkak të korrupsionit dhe mungesës së konkurencës, rendi dhe siguria janë në mëshirën e krimit me të cilin ka bashkëpunuar për të masakruar zgjedhjet, institucionet janë të kapura dhe u shërbejnë klientëve të regjimit jo qytetarëve.

Plagët që ky model shkakton në shoqërinë shqiptare janë të shumta, prandaj ne duhet të jemi çdo ditë pranë çdo qytetari dhe në mbrojtje të interesit publik. Nga deputetët e zgjedhur te strukturat më të largëta të Partisë Demokratike, detyra jonë është që zëri i çdo shqiptari të dëgjohet dhe shqetësimet e tyre të mëdha apo të vogla të jenë të përfaqësuara.

Sikurse kam theksuar në Kuvendin Kombëtar, për të zhbërë kapjen e shtetit nga korrupsioni dhe krimi dhe për t’ua kthyer institucionet dhe të drejtën për të vendosur qytetarëve, ne do të ndërtojmë në bashkëpunim me të gjitha grupet shoqërore që duan një ndryshim cilësor të jetës politike dhe ekonomike në vend, Platformën qytetare për demokracinë.

Eshtë tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale.

PD hapësirë për çdo qytetar që kërkon ndryshim. Reforma zgjedhore dhe territoriale  të domosdoshme për një shoqëri realisht demokratike

Këtë duhet ta bëjmë me dhe për shqiptarët që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor.

Që mundësojnë ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumeve lokale dhe kombëtare, propozime për çlirimin e ekonomisë nga oligarkët dhe modelit të dështuar ekonomik që po i marrin frymën sipërmarrjes së ndershme, për lirinë dhe pavarësinë e medias, për shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimi, ndryshime që e bëjnë shoqërinë realisht demokratike.

E kundërta e asaj që sundimi i këtij regjimi përfaqëson, është shteti i vogël, liria e individit, ndarja e pushteteve, liria e sipërmarrjes, elementë që janë në ADN-në e familjes tonë politike.

Prej ditës tonë të parë kemi luftuar për këto vlera, jemi ne njerëzit që besojnë tek ato, ndaj misioni ynë është të luftojmë me gjithë forcën që na kanë dhënë shqiptarët që t’i jetësojmë ato, duke i mbajtur në qendër të aksionit tonë politik.

Nëpërmjet tyre kemi shënuar arritjet më domethënëse që kanë ndryshuar për mirë jetën e shqiptarëve në të shkuarën, dhe jam i bindur që janë po këto vlera me të cilat ne do të arrijmë ndryshimet më thelbësore për familjet shqiptare në të ardhmen. Përkundër masakrës zgjedhore, qytetarët na dhanë një mbështetje të jashtëzakonshme sepse jemi partia që i shërben interesit publik, jo vetes

Të dashur vëllezër dhe motra, sfidat që kemi përpara janë te mëdha, ndaj vullneti dhe vendosmëria jonë duhet të jenë po aq të mëdha.

Ne kemi lindur si partia e njerëzve të lirë dhe ajo që na mban të bashkuar në këtë Shtëpi të Lirisë është dashuria për Shqipërinë, pasioni për të shërbyer në jetën politike të vendit tonë, pasioni për të punuar për zhvillimin dhe integrimin në Bashkimin Europian, me idetë dhe vlerat tona që na dallojnë si parti popullore Eruopiane.

Edhe pse jetojmë në kohë jo bujare për politikën, jo vetëm në Shqipëri, kur politika shihet me rezerva dhe difidencë, shqiptarët na besuan dhe na mbështetën; Edhe pse miliona euro harxhohen në propagandë kundër nesh, edhe pse asgjë demokratike nuk kishte në masakrën e 25 prillit, shqiptarët na dhanë një besim të jashtëzakonshëm për planet tona konrete, për vizionin tonë, për programin tonë.

Ndaj, në këtë moment përcaktues për demokracinë e vendit, është e rëndësishme më shumë se kurrë që përballja me regjimin të mos na largojë nga qytetarët dhe nga problemet e tyre. Rendin e ditës duhet ta përcaktojmë ne dhe ai duhet të jetë për shqiptarët dhe me shqiptarët.

Disa prej tyre ndoshta duan t’i qëndrojnë larg politikës, duke e konsideruar një gjë të keqe, por në fakt, përtej një interpretimi të nxituar të nxitur nga politikanë të gabuar, nëse njerëzit nuk merren me politikën, është politika që merret me ta.

Shembuj të tillë kemi plotë, nga gazi lotësjellës i pëdorur kundër grave dhe fëmijëve, te gjobat selektive, te të rinjtë që largohen ëndrraprishur për shkak të keqqeverisjes, taksat e larta apo korrupsioni që shkatërron institucionet që nuk janë të afta të japin shërbime, që fatkeqësisht mund të kushtojë edhe jetën, sikurse po ndodhë me pandeminë.

Ndaj, krahas të qenurit partia që i shërben qytetarëve dhe interesit publik, e jo vetes, kemi detyrën të jemi edhe partia që komunikon me shoqërinë, që e zhbën hendekun e pakapërcyeshëm midis njerëzve dhe politikës, që komunikon me qytetarët dhe i normalizon raportet e politikës me qytetarët.

Sigurisht duke u hapur edhe më shumë dhe duke u bërë sa më përfshirës, duke dhënë shembuj pozitivë dhe duke mbajtur gjithmonë një sjellje morale që frymëzon besim te qytetarët. Besim për të mos qëndruar pasiv, teksa Shqipëria qëndron në vend numëro, por që të zgjedhin angazhimin si mjet për të përmirësuar jetët e familjeve të tyre.

Ndaj hapja, modernizimi i vazhdueshëm dhe qarkullimi i elitave brenda Partisë Demokratike duhet të jenë pjesë e përditshme e përpjekjeve tona të përbashkëta, për të rritur besimin dhe inkurajuar angazhimin qytetar. Kjo kërkon angazhimin e secilit prej nesh në zgjerimin e formacionit tonë politik me përfshirjen e të gjitha grupimeve shoqërore, e të rinjve dhe të rejave, e çdo individi që beson tek demokracia, që beson tek liria dhe tek e ardhmja europiane e vendit tonë.

Nuk ka për të qenë e lehtë, por jam i bindur që askujt nuk i mungon guximi për të luftuar, për të mos u dorëzuar, për ta çuar deri në fund përballjen me regjimin.

Sepse, në fund të fundit, Partia Demokratike nuk u ndërtua nga njerëz të frikësuar. Partia Demokratike u ndërtua nga guximtarë, nga njerëz që nxitën ëndrrën për një Shqipëri europiane, që kishin këmbëngulejn e palëkundur për të çuar përpara vlerat te të cilat të gjithë besojmë dhe janë ende busulla e një kombi që kërkon liri dhe demokraci.

Kjo është Partia Demokratike, këta jemi ne, ky është edhe fati ynë dhe këtë do t'u themi njerëzve.

Të fundit