E-TJERA

Abuzimi me tenderat e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj paraqitet në SPAK

Abuzimi me tenderat e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj paraqitet në SPAK

Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në kuadër të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, lidhur me hetimet për atë që njihet si dosja e AKSHI-t.

Karçanaj po hetohet së bashku me ish-zyrtarë dhe biznesmenë të tjerë, mes tyre Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët akuzohen nga SPAK për përfshirje në një skemë të dyshuar të organizuar për manipulim tenderash, ushtrim presioni ndaj kompanive konkurruese dhe pastrim parash.

Sipas hetimeve, dyshohet se persona të përfshirë në këtë çështje kanë ushtruar presion dhe intimidim ndaj përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në tendera publikë, me qëllim tërheqjen e ankesave dhe favorizimin e operatorëve të caktuar fitues.

Ndaj Karçanajt dhe ish-zëvendëses së saj, Hava Delibashi, rëndojnë akuza për shkelje të barazisë në tendera dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Hetuesit dyshojnë se ato kanë pasur rol në hartimin dhe zbatimin e procedurave të tenderimit, të cilat sipas SPAK kanë favorizuar kompani të caktuara përmes kritereve të dyshuara si të paligjshme.

SPAK ka sekuestruar gjithashtu pasuri me vlerë rreth 40 milionë euro të lidhura me personat nën hetim, përfshirë prona të paluajtshme, automjete luksoze, kompani dhe llogari bankare. Sipas dosjes, këto pasuri i përkasin një rrjeti personash të përfshirë në çështje të ndryshme të hetimit.

Të fundit