Flash News

E-TJERA

Ish-gjyqtari Guxim Zenelaj dënohet me 100 orë punë publike

Ish-gjyqtari Guxim Zenelaj dënohet me 100 orë punë publike

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të enjten më 26 qershor të ndryshojë pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj, i deklaruar fajtor për deklarim të rremë të pasurisë. Më 17 mars, gjyqtari Bib Ndreca vendosi të dënojë Zenelajn me 6 muaj burgim, gjysmën e masës së kërkuar nga prokurorja Doloreza Musabelliu gjatë konkluzioneve përfundimtare në korrik të vitit të kaluar. Ndërkohë, u pranua kërkesa e prokurorisë për pezullimin e ekezekutimit të dënimit dhe u zëvendësua me shërbim prove për 1 vit, me kusht që i gjykuari të mos kryejë tjetër vepër penale.

Trupi gjykues i Apelit të Posaçëm i kryesuar nga gjyqtarja Igerta Hysi dhe anëtare gjyqtaret Tereza Merkaj dhe Iliriana Olldashi, po ashtu e gjeti fajtor Zenelajn. Ndërkohë, vendosi të ndryshojë masën e dënimit duke e zëvendësuar burgimin me detyrimin për të kryer 100 orë pune me interes publik.

Guxim Zenelaj u dërgua për gjykim për deklarim të rremë të pasurive në vitin 2022.  Në tetor të vitit 2023, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për konfiskimin e pasurive të Zenelajt, të një ngastre toke me sipërfaqe 1000 m2 në Porto Palermo, Himarë dhe gjashtë pasuritë e paluajtshme në Ishull-Shëngjin të Lezhës.

Zenelaj u largua nga sistemi gjyqësor në korrik të vitit 2017, së bashku me anëtarët e tjerë Arjana Fullani, Andi Çeliku, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako, të cilët njoftuan përfundimin e mandatit të tyre. Në vijim ata refuzuan t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me pretendimin se nuk e kishin më statusin e magjistratit. Po ashtu refuzuan pozicionet në Apel. Bazuar mbi këtë refuzim, KPK vendosi se secili prej tyre kishte bërë dorëheqje dhe bazuar në ligjin për rivlerësimin kalimtar, caktoi masën që u ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet. Reporter.al

Të fundit