E-TJERA

Rrëshqitje masive dherash në Përmet, banesat pak metra larg greminës

Rrëshqitje masive dherash në Përmet, banesat pak metra larg

Një situatë  alarmante është krijuar në fshatin Malishovë të rrethit të Përmetit, ku rrëshqitjet masive të dherave, të shkaktuara nga reshjet e shumta, po vënë në rrezik serioz jetën e banorëve.

Denoncimi ka mbërritur në redaksinë e News 24, ku një qytetar ngre alarmin se tetë banesa ndodhen në prag të shembjes, ndërsa tre prej tyre janë ende të banuara nga familje që jetojnë nën frikë të përditshme.

Sipas dëshmisë së banorit, banesa më e afërt ndodhet vetëm një metër larg greminës së krijuar, e cila po zgjerohet nga momenti në moment.

Rrëshqitja ka formuar një humnerë rreth 300 metra të gjatë dhe mbi 40 metra të thellë, duke e bërë situatën edhe më të rrezikshme. Banorët tregojnë se toka lëkundet vazhdimisht, duke krijuar ndjesinë e një tërmeti të pandalur dhe duke shtuar frikën për shembjen e banesave.

“Jam banor i fshatit Malishovë, në rrethin e Përmetit, dhe po ju shkruaj me shqetësim të thellë dhe frikë reale për jetën e familjeve tona. Si pasojë e reshjeve të mëdha ka ndodhur një rrëshqitje masive dheu, e cila po përhapet në një sipërfaqe shumë të gjerë. Aktualisht, 8 banesa ndodhen në rrezik të menjëhershëm, ndërsa në 3 prej tyre jetojnë familje, ku rrëshqitja ka mbërritur vetëm 1 metër larg themeleve”, shprehet qytetari në denoncimin e tij.

Ai thekson se banesat lëkunden në çdo moment dhe se rreziku për një tragjedi është real dhe i afërt. Banorët u bëjnë thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë urgjentisht për verifikim në terren, evakuimin e familjeve të rrezikuara dhe marrjen e masave emergjente për stabilizimin e zonës.

“Kjo situatë është jashtëzakonisht alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme, përpara se të humbasë ndonjë jetë njerëzore. Jeta e familjeve tona është në rrezik”, përfundon denoncimi i banorit nga Malishova e Përmetit.

Të fundit