Flash News

OP-ED

Gabimi metafizik i Sorecës ndaj opozitës

Gabimi metafizik i Sorecës ndaj opozitës

Klementin Mile

Ku gabon ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, kur pozicionohet kundër djegies së mandateve opozitare? Në qëndrimet e tij ai thekson rëndësinë e jashtëzakonshme të institucionit të parlamentit për demokracinë. Ai thotë se parlamenti nuk duhet bojkotuar dhe se opozita duhet t’u kthehet rrugëve politike normale, siç është përgatitja për zgjedhjet lokale. Funksionimi normal i parlamentit shihet si garant i demokracisë dhe pjesëmarrja e opozitës në punimet parlamentare si garant i funksionimit normal të parlamentit.

Ky argument i ambasadorit Soreca, i konsideruar në terma abstraktë, është i vlefshëm. Është e vërtetë që demokracisë, e sidomos asaj parlamentare, i nevojitet parlamenti funksional, me shumicën dhe opozitën që debatojnë rregullisht për të gjitha çështjet në institucion. Veçse Soreca dhe ndërkombëtarët e tjerë që janë shprehur deri tani nuk e kanë fjalën për një parlament abstrakt të idealizuar, por për këtë parlament konkret që ekziston sot në vendin tonë. Ndërsa e kritikojnë opozitën për lënien e mandateve apo shprehin keqardhjen për këtë gjest, ata i dalin në mbrojtje këtij parlamenti që ekziston sot e që kryesohet nga Gramoz Ruçi. Ndërsa e cilësojnë si të dëmshëm jo vetëm për parlamentin, por edhe për demokracinë largimin e opozitës prej tij, ata i japin mbështetje këtij parlamenti që përballet me dyshime dhe prova të shumta se ka ardhur në masë të madhe si rrjedhojë e fenomenit të paligjshëm të shitblerjes së votës.

Soreca dhe ndërkombëtarët e tjerë bëjnë një gabim metafizik klasik – ata ngatërrojnë dukjen me realitetin. Parlamenti është patjetër institucioni ku përfaqësuesit e popullit flasin për të artikuluar vlerat dhe interesat e të përfaqësuarve. Si i tillë, parlamenti nuk mund të shndërrohet kurrë në vendin ku flasin hajdutë dhe blerës votash. Ai vend nuk do të ishte më as institucion dhe as parlament. Për më tepër që në një demokraci parlamentare, siç shprehet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, është parlamenti që i lind dhe u jep legjitimitet institucioneve të tjera dhe, kur vetë parlamentit i mungon legjitimiteti, i gjithë rendi i krijuar është automatikisht antikushtetues.

Legjitimiteti i parlamentit duhet të jetë jashtë çdo dyshimi. Mosgarantimi i kësaj sjell kosto shumë të lartë për të gjitha reformat dhe nismat e vendit tonë, ku mbi të tjerat spikat reforma në drejtësi, duke i paragjykuar si kundër interesit publik, kombëtar dhe demokracisë. Ndërkombëtarët, të cilët janë investuar jo pak në shumë prej reformave tona, me siguri nuk duan që investimi i tyre të rezultojë i kotë. Sigurisht, është e rëndësishme për ndërkombëtarët që të gjejnë në vendin tonë partnerë gjithmonë të gatshëm për të biseduar zyrtarisht me ta. Por ama fasada nuk është kurrë ndërtesa. Le të shpresojmë që partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë të mos u interesojnë vetëm formalisht institucionet tona. Nëse ata kërkojnë vetëm partnerë komunikimi për të mbaruar punët e tyre, nëse u intereson vetëm stabiliteti dhe aspak demokracia substanciale këtu, ky do të ishte vërtet lajm i keq për demokracinë e brishtë shqiptare. Nëse ndërkombëtarëve u intereson vetëm të ketë një ent të quajtur “parlament” në vendin tonë, por që nuk zotëron cilësitë e institucionit parlamentar, atëherë ky nuk është thjesht një gabim i tyre, por faj.

E ardhmja do ta tregojë nëse vendimi i opozitës për t’i djegur mandatet ishte apo jo i duhuri; nëse opozita gjeti formën dhe kohën e përshtatshme për reagimin e saj; nëse duhet të kishte bërë diçka tjetër para këtij vendimi dhe veprime të tjera pas tij; nëse e kishte apo jo të drejtën morale për ta bërë këtë gjë, por pavarësisht gjithë këtyre, gabimi (ose faji) i ndërkombëtarëve që bëjnë apel në mbështetje të veprimtarisë parlamentare të opozitës në këto kushte të “parlamentit” është i qartë dhe i pamohueshëm. Ata ose nuk e dinë çfarë është demokracia, ose nuk duan t’ia dinë për të kur bëhet fjalë për vendin tonë. Le të shpresojmë që ndërkombëtarët të mos na mendojnë si popull që nuk e meriton luksin ta ketë pushtetin për të vendosur vetë për veten, sikundër nënkupton termi “demokraci”.  / Gazeta Liberale

Të fundit