Flash News

KRYESORE

“Ka cënuar sigurinë ushqimore dhe jetën ekonomike”, këta janë 5 drejtuesit e AKU

Shqipëria është një nga vendet me cilësinë më të dobët të ushqimeve dhe shpesh herë ne media janë bërë publike raste se si modifikohen produktet bujqësore, mishi që shihet në ambiente që nuk plotësojnë kushtet, ushqime të skaduara që importohen nga jashtë dhe shumë probleme të tjera.

Kjo situatë tregon për dështimin spektakolar të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, i krijuar në vitin 2009-të.

Dështimin e këtij institucioni e ka konfirmuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit me raportin e publikuar sot për performancën e ‘Sigurisë Ushqimore’ në AKU, për periudhën Janar 2012 - Dhjetor 2016.

Në raport theksohet se në AKU u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish të cilat kanë cenuar sigurinë ushqimore dhe për pasojë jetën ekonomike dhe sociale në vend, me një ndikim të rëndësishëm në uljen e besimit të konsumatorëve, raporton Politiko.al.

Nga auditi i KLSH-së rezultonte se luhatjet më të theksuara të inspektimeve vjetore nga AKU vërehen veçanërisht në sektorët për produktet me origjinë shtazore dhe joshtazore, pikërisht në dy sektorët me riskun më të lartë në sigurinë ushqimore. AKU gjithashtu nuk është kujdesur që të ketë një numër të përafërt të inspektimeve mesatare mujore gjatë vitit, duke ja lënë fushatave dhe spontanitetit, e cila jo vetëm që ndikon në cilësinë  e tyre, por ka ndikim të konsiderueshëm në përmirësimin e sigurisë ushqimore në vend.

Sa i përket inspektorëve, një numër i konsiderueshëm i tyre nuk kanë lidhje me sigurinë ushqimore dhe kjo përgatitje e dobët ka arritur deri në nivel drejtorësh të përgjithshëm.

Drejtuesit e AKU-së kanë qenë të shumtë përgjatë këtyre katër viteve dhe përgatitja e tyre profesionale ka qenë gjithnjë në rënie dhe larg fushës së sigurisë ushqimore. Ky institucion është përdorur nga ministrat e Bujqësisë dhe kryeministrat për të shpërblyer partitë aleate, pasi ua kanë lënë atyre në dorë drejtimin.

Duke i referuar periudhës që KLSH ka bërë auditimin, në janar të 2012-ës në krye të AKU-së ka qenë Genc Juka, profesionist i fushës dhe njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i PAA-së. Juka nuk u kontestua shumë në drejtimin e AKU-së. 

Me ardhjen e PS në pushtet në vitin 2013-të, drejtuesit e AKU-së filluan të ishin prezent në media për skandalet e punësimit në institucion dhe dështimin në kontrollin e ushqimeve.

Afrim Bakaj zëvendësoi Artan Gjergjin në krye të AKU-së, ndërsa në media filluan të publikoheshin informacione që dëshmonin për nepotizmin brenda institucionit. Bakaj ishte gjithashtu pjesë e Asamblesë së Përgjithshme të PS.

Afrim Bakaj u shkarkua nga kjo detyrë pasi PDIU u afrua me PS-në në mazhorancë. Partia e Shpëtim Idrizit mori drejtimin e AKU-së me Isuf Shehu, me profesion jurist dhe ish-nënkryetar i bashkisë së Tiranës. Ashtu si paraardhësit e tij edhe Shehu dështoi në krye të AKU-së.

Shehu do të zëvendësohej nga një tjetër militant i PDIU-së, Dritan Sejko, i cili vazhdon të jetë kryetar i AKU-së ndonëse nuk ka asnjë lidhje me këtë fushë. Ai është me profesion jurist dhe më parë ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të Hipotekës në Tiranë.

CV-të e këtyre drejtorëve tregojnë qartë përse AKU jo vetëm ka dështuar sa i përket sigurisë ushqimore, por ka cënuar jetën sociale në Shqipëri.

Këta drejtues që kanë marrë firmën e Sali Berishës dhe Edi Ramës, si dhe mbështetjen e Ilir Metës me Shpëtim Idrizin, bëhen sot përgjegjës nga KLSH për cënimin e sigurisë ushqimore dhe në uljen e besimit te konsumatorët.

CV-ja e drejtorit aktual të AKU:

Të fundit