KLP çel sot garën për Prokurorin e Përgjithshëm, kush janë kandidatët e përfolur veç Arta Markut

Ashtu siç ishte njoftuar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur sot për të hapur garën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

Ky post mbahet aktualisht, nga Arta Marku, por nën cilësinë e kryeprokurores së përgjithshme të përkohshme.

Në rendin e ditës është parashikuar diskutimi mbi miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë.

Deri tani janë përfolur disa emra si kandidatura për këtë post, përfshirë edhe vetë Arta Markun.

Po ashtu, emra të tjerë që përfliten si garues për postin e Prokurorit të Përgjithshëm janë edhe prokurori Olsian Çela, ish drejtuesi i ‘Krimeve të Rënda’, i njohur edhe si prokurori i laboratorit të kokainës në Xibrakë, Adnan Xholit, ish-kryeprokuror i Krimeve të Rënda dhe aktualisht prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, apo Enrik Ligori, Besnik Muçi, Ervin Kondili.

Referuar ndryshimeve kushtetuese neni 148/4-45  Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi. Në rast se politika nuk do të arrijë të përzgjedhë kryeprokurorin e ri me votim, atëherë do të jetë KLP që sipas pikës 4 të kushtetutës ka tagrin e emërimit.

Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.