Flash News

KRYESORE

Kreu i Këshillit Bashkiak ‘mollë sherri’ për socialistët e Shkodrës, a u spostua me urdhër të Ramës “njeriu” i Bushatit?

Mes tensioneve brenda dhe jashtë mbledhjes dje u konstituua Këshilli Bashkiak i Shkodrës.

Nën drejtimin e prefektit Çesk Millja, nga mbledhja u zgjodh kryetare e re e Këshillit Bashkiak me votat e këshilltarëve të dalë nga 30 qershori, Brisela Kadia.

Mirëpo, duket se socialistët ishin të detyruar të votonin emrin e Kadias  pas një urdhri të ardhur nga ‘lart’, referuar edhe debatit të zbardhur në mbledhjen e një nate para votimit.

Gjatë debatit me dyer të mbyllura mes këshilltarëve dhe deputetëve të qarkut, socialistët kundërshtojnë vazhdimisht të dërguarën e kryeministrit, Senida Mesin për emrin e kryetarit që do duhet të votojnë.

Këshilltarët duan të votojnë Arvit Osjen, një emër jo pak i njohur për shkodranët, pasi më parë ka mbajtur postin e kreut të PS në Shkodër.

Ndërkohë që Mesi, vijon me zbatimin e urdhrit të marrë nga kryeministri Rama dhe kreu i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla se emri i tij duhet të zëvendësohet me një grua,  konkretisht Brisela Kadia.

Por, pse erdhi ky urdhër për zëvendësimin e propozimit të këshilltarëve të PS?

Nga një vëzhgim në profilin e Arvit Osjes në rrjetet sociale shihet se si ai poston vazhdimisht aktivitetet të PS, por që protagonist të tyre ka Ditmir Bushatin.

Kujtojmë se Rama, në mbledhjen e Asamblesë së PS, mbajtur më 23 korrik, Rama i besoi Pjetrit edhe pozicionin e koordinatorit për Qarkun e Shkodrës në vendin e Ditmir Bushatit.

 

Ky i fundit, i njohur për qëndrimet e shpeshta kritike ndaj PS dhe kryesisht ndaj vetë kryeministrit Rama.

Në mbledhjen e djeshme Osja u zgjodh nënkryetar bashkë me  Tereze Brigja dhe Suada Selimaj, megjithatë qeverisja vendore në Shkodër mbetet sërish në një ngërç edhe pas konstituimit të Këshillit Bashkiak.

Të fundit