Mocioni i 8 anëtarëve të PS një ditë para Kongresit, Rama shmang pyetjen: Nuk ka socialistë të vjetër, i kanë shtëpitë ‘top’

Kryeministri Edi Rama nuk ka preferuar të komentojë mocionin e një grupi socialistësh me tetë anëtarë me 10 pika që propozojnë ndryshime brenda PS.

I pyetur nga gazetarët gjatë prezantimit të projektit të rindërtimit për tërmetin e 26 nëntorit, Rama ironizoi duke thënë se nuk ka socialistë të vjetër dhe se do ta flasë vetëm për ata që s’kanë shtëpi prej ngjarjes së vitit të shkuar.

“Socialistët nuk janë të vjetër, janë gjithmoinë të rinj. Mos harroni Dritero Agollin, ishte shumë më i ri se ju. Të jesh socialist do të thotë të mos jesh asnjëherë i vjetër.

E dyta jam këtu për ata që kanë humbur shtëpitë, socialistët e kanë shtëpinë top. Kur e ke shtëpinë top, të tjerat janë luks, të gjitha diskutimet debatet”, tha Rama.

Në mocion ishin të përfshirë Arta Dade, Eva Teqja, Ibrahim Sulaj, Irena Beqiraj, Luan Zhegu, Maqo Lakrori, Nazmir Bilani dhe Përparim Bodinaku .

Ata propozonin heqjen e mundësisë për kryetarin e partisë për te qenë edhe kryeministër, edhe ministër ose çdo funksion tjetër të këtij niveli, gjithashtu dhe kufizimi i mandatit deri në 2, apo anëtarët e kësaj partie kërkojnë dhe pastrimin e klasës drejtuese në pushtet dhe në opozitë nga korrupsioni etj.