Flash News

OP-ED

Populli i partive’ vs. ‘populli i lirisë’

Populli i partive’ vs. ‘populli i lirisë’

Alfred Lela 

Sot u çel fushata e 10-të e zgjedhjeve parlamentare, në një histori politike 30 vjeçare në tranzicion demokratik.

Sa herë ka nisur një e tillë, pavarësisht vitit, ‘92, ‘97 apo 2017, kemi dëgjuar të njëjtin refren: këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në histori!

E njëjta gjë thuhet edhe për 25 prillin kur, dy armiqtë e vjetër të tranzicionit, PS dhe PD, ndeshin brirët për tu vënë ata në krye të kopesë shqiptare për katër vitet në vijim.

Nga fjalori i tyre rrjedh mjalti i lëvdatave për ‘popullin e pagabueshëm’, trim dhe legjendar shqiptar, që do të zgjedhë ata dhe jo atë tjetrin. Populli vetë, në ndërkohën që partitë e kanë qeverisur me radhë, gjithnjë e më shumë zgjedh ose të ikë, ose të heshtë duke mos votuar.

Sepse në Shqipëri ka dy popuj. Ai që pret gojëhapur që si punën edhe bukën t’ia japë në formë qyli njëra prej partive, dhe ai që kërkon nga parti-qeveritë vetëm të mos i bien në qafë.

I pari i përket shtetit etatist ku qeveria zgjidh çdo gjë, dhe i dyti është ‘populli i lirisë’. Gjëja me negative që ‘2 plus 1’ partitë shqiptare kanë bërë në këta 30 vjet është zvogëlimi i ‘popullit të lirisë’, dhe mbjellja e farës së keqe të popullit të tyre. Një rracë që e ka shpresën te varësia.

Kështu që, vetëm në këtë kuptim këto zgjedhje janë jetike, historike, dhe ndryshe nga të tjerat. Ato do të tregojnë nëse ‘populli i lirisë’ është rritur ndopak dhe do t’i japë një mësim ‘popullit të partive’ dhe vetë 2 plus 1-it të tyre.

‘Të mjerët’, që presin o një vend pune partiak o një drejtorllëk vjedharak, janë sërish aty, të shumtë. Përballë tyre është besimhumbura shtresë gri, tek ëndërron vetëm që këta ‘të mjerë’, pas zgjedhjeve, ta lënë në punë të vet.

Po! këto zgjedhje janëhistorike! Por, jo se 2 partitë, plus ankesin, mund të ndërrojnë vendet, por sepse ‘populli i lirisë’ mund të ngrihet dhe t’u japë një leksion.

 

Të fundit