Trajneri i ri, Hasan Lika nis stërvitjen me Vllazninë

Hasan Lika nisi zyrtarisht punën me Vllazninë, që këtë sezon do të luajë në Kategorinë e Parë, gjë që i ndodh për herë të parë kësaj skuadre legjendare të futbollit shqiptar. Trajneri i kuqebluve u shpreh se objektivi është rikthimi i Vllaznisë në Superiore dhe se shpreson ta arrijë këtë.

“Shpresoj që gjërat të na ecin mirë në këtë sezon. Po të punojmë të gjithë së bashku e do t’ia dalim që ta çojmë Vllazninë në vendin që i takon, në Kategorinë Superiore”, tha trajneri Lika.

Për Hasan Likën, kjo nuk është hera e parë që drejton një skuadër në Kategorinë e Parë. Trajneri ka pranuar që edhe ky kompeticion ka vështirësitë e tij.

“Nuk është hera e parë që drejtoj një skuadër në Kategorinë e Parë. Në fakt, kjo është eksperienca ime e dytë, ndoshta lojtarët e kanë për herë të parë. Është një kompeticion i vështirë, por ne do të punojmë fort për të arritur objektivat e vendosur”, tha më tej Lika.

Trajneri Lika theksoi se Vllaznia ka nevojë për përforcime dhe se, për këtë do të bisedojë edhe me drejtuesit e klubit. Në seancën e parë stërvitore, në dispozicion të tij ishin 18 futbollistë, të cilët zhvilluan vrapime dhe ushtrime fizike.

Sezoni i ri i Kategorisë së Parë do të nisë më 9 shtator, 4 javë pas startit të Kategorisë Superiore./TCH