Agron Gjekmarkaj: Ikja e Tufës; dëbojmë shkrimtarët dhe admirojmë zuzarët

Njëri prej shkrimtarve më në zë të vendit tonë u detyrua të ikë nga Shqipëria për të mbrojtur vetën dhe familjen. Pos kësaj ai ishte edhe një zyrtar i lartë publik në krye të Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ku ka bërë një pune të admirueshme në rikthimin e të vërtetave historike mes nesh, e sidomos në zbardhjen e këtyre krimeve dhe vendosjen e gishtit te kriminelët.

Ne kemi patur dhe kemi një histori ideologjike të manipuluar. Tufa tentoi ta ndryshonte këtë tendencë, por u ndesh me dhune verbale të eksponentëve qeveritarë, me sharje e fyerje nga bij gjakatarësh, kërcënime rruge dhe me sa duket iu bë e pamundur jeta në këtë vend.

E rëndë, tejet e rëndë për një vend që detyron shkrimtarët e vet më spikatur, të ikin nëpër natë për të mos u shndërruar në viktime e ideve dhe punës së tyre.

Kjo shoqëri duhet të pyesë veten në çfarë sistemi jetojmë? Pse po i negociojmë çdo ditë liritë dhe të drejtat tona? Pse i dëbojmë intelektualët dhe shkrimtarët dhe në vend të tyre adhurojmë horrat e zuzaret?

Diçka e madhe është kalbur në këtë vend.

E kaluara sundon mbi të tashmen dhe kërcënon të ardhmen me tmerret e veta! Agron Tufa i duhet kulturës shqiptare i gjallë, jo i vdekur. Pas ikjes së Kadaresë, e cila i ndikoi shqiptarët 30 vjet më parë, do të dëshiroja shumë që edhe ikja e Tufës të bëjë të njëjtin efekt në kontekstin e ri të rrethanave tona.

Ikja, arratisja, kërkesa për azil, e mbi të gjitha kërcënimet ndaj një shkrimtari si Agron Tufa, kaq cilësor e me ndikim, janë një lajm i keq, tejet i keq, përzhitës.

*Politiko.al i ka kërkuar zv/Dekanit të Fakultetit Histori-Filologji, Agron Gjekmarkaj, një mendim lidhur me ikjen në Zvicër, ku ka kërkuar azil politik, të shkrimtarit Agron Tufa. Redaksia vendosi ta lërë në formën e një komenti mendimin e Gjekmarkajt, me idenë për ta përcjellë pa ndërhyrje te lexuesi.