Flash News

KRYESORE

Belgjikë/ Policia kërkon ndihmë nga Shqipëria për disa vrasje

Belgjikë/ Policia kërkon ndihmë nga Shqipëria për disa

Autoritetet e drejtësisë në Belgjikë kërkojnë ndihmë nga Prokuroria shqiptare për zbardhjen e një ngjarjeje kriminale të ndodhur në Bruksel, në shtator 2015, ku u vra një 45­vjeçar dhe u plagos vëllai i tij. Dy të dëmtuarit janë shtetas shqiptarë dhe sipas hetuesve belgë, edhe autori mund të jetë i tillë. Përmes një vendimi të shpallur pak ditë më parë nga Gjykata e Tiranës, gjyqtari Ahmet Metalia ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për t’i dhënë dritë jeshile ekzekutimit të letërporosisë belge në lidhje me këtë ngjarje.

Në kërkesën zyrtare për ndihmë në hetim, pala belge u paraqet homologëve shqiptarë një profil gjenetik ADN-­je të autorit, si edhe gjurmët e gishtave të tij. Më tej belgët kërkojnë që të bëhet krahasimi i këtyre të dhënave me të dhënat e zotëruara nga autoritetet shqiptare, me qëllim identifikimin e autorit. I dyshuari, i cilësuar nga hetuesit si “personi me xhaketë të kuqe”, për shkak të rrobave që ka pasur në momentin e ngjarjes, akuzohet për “vrasje” dhe “vrasje të mbetur në tentativë”. Sipas hetimeve të palës belge, të cituara në vendimin e Gjykatës së Tiranës, rezulton se në datë 26 shtator 2015, në orën 08:19, në Bruksel, në rrugën “Malines” janë dëgjuar disa krisma armësh, ku një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se viktimë e kësaj ngjarjeje ishte Anastas Q., 45 vjeç., si edhe plagosur Artan Q., 42 vjeç. Të dy këta persona janë shtetas shqiptarë. Pranë viktimës hetuesit belgë kishin konstatuar një thikë kuzhine, e cila gjendej pikërisht afër dorës së majtë të tij, i cili me sa duket kishte mbetur viktimë e të shtënave me armë, ashtu si edhe personi i plagosur. Sipas dëshmive, rezulton se autori i të shtënave me armë ishte prezent së bashku me disa miq në ndërtesën M.D., e cila ndodhet në rrugën “Malines”, në Bruksel.

Rreth orës 08:00, vëllezërit Anastas e Artan Q. kanë hyrë në ndërtesë. Midis palëve të ndryshme ka nisur një debat dhe më pas ata kanë dalë jashtë ndërtesës. Në ambientet e jashtme të godinës, sipas hetimit belg, Anastas Q. duket se ka nxjerrë një thikë. I dyshuari ka qëlluar mbi dy vëllezërit dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Nga kamerat e sigurisë ka rezultuar se ky person kishte veshur një xhaketë të kuqe. Ky person dyshohet se mund të jetë me nënshtetësi shqiptare. /Panorama.

Të fundit