Flash News
Shoferja humb kontrollin në aksin Devoll-Miras, dy të plagosur
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Marrëveshja e Uashingtonit, a do të kthehet Durrësi në ‘South Stream-in’ e Amerikës?
nga Misha Brkiç, gazeta 'Danas'
Megjithëse në Marrëveshjen e Uashingtonit “Normalizimi ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës“, pika 8 është më e shkurtra, pikërisht ajo mund të jetë më eksplozivja. Sepse nga ajo rrjedh gaz. Gazi i lëngshëm natyror, LNG.
„Të dyja palët do të diversifikojnë burimet e furnizimit të tyre me energji“, thuhet në këtë pikë e cila tashmë ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe rreth së cilës kanë filluar të thuren teori të ndryshme, veçanërisht akoma më shumë pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç sipas së cilës delegacioni serb arriti të nxerrë jashtë nga kjo pikë LNG-në amerikane.
Çfarë është në thelb ky formulim? Mbi të gjitha, çfarë është diversifikimi i burimeve të furnizimit.
Më tej ajo mund të jetë edhe nyja e paketës infrastukturore të Marrëveshjes në fjalë në të cilën (pikat 1 dhe 2) paralajmërojnë vazhdimin e aktiviteteve për ndërtimin e autostradës dhe hekururdhës nga Beogradi deri në Prishtinë dhe deri në një port shqiptar në detin Adriatik. Megjithëse nuk përmendet me emër, ky është porti i Durrësit, i cili me këtë marrëveshje fiton statusin e pikës vatrore të marrëdhënieve ekonomike të Europës Jugore.
Përsa i përket diversifikimit të burimeve të furnizimit, Marrëveshja e Uashingtonit shënon fundin e monopolit të Rusisë në tregun serb të gazit dhe hapjen e dyerve për këtë energent nga shtete të tjera, kësisoj edhe gazi natyror i lëngshëm (LNG) nga SHBA.
Nëse do të bëhej një paralele, atëherë mund të thuhet se me këtë Marrëveshje Amerika fiton Rrymën e Jugut (South Stream) të saj, (pikërisht pesë vjet pas dështimit të Rrymës së Jugut të Rusisë), e cila do të jetë një hallkë me rëndësi në korridorin Jugor të Europës.
Kjo nuk do të thotë hedhje jashtë e Rusisë nga tregu vendor serb i gazit, por tregon për synimin e Serbisë që, nëpërmjet diversifikimit të burimeve të sigurisë të fitojë një pavarësi akoma më të madhe energjetike gjë të cilën e nënvizon BE-ja si një prej shtyllave të politikës së saj energjetike.
Sepse, që në vitin 2015, atëbotë kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një bisedë me ish zëvendëspresidentin e SHBA-ve Xhozef Bajden në forumin e sigurisë në Mynih, tha se “Serbia është e gatshme që të përdorë gaz nga shumë burime dhe se e pranon sugjerimin e SHBA-ve për të zvogluar vartësinë nga gazi rus“.
Duke interpretuar Marrëveshjen e Uashingtonit, kryeministrja Ana Brnabiç shpjegoi se LNG-ja amerikane mund të rrjedhë në ndonjë prej porteve greke ose në ishullin kroat Krka.
Porti grek në Aleksandropullos në të cilin kompania Gastrejd ndërtoi një terminal LNG pluskues, verën e kaluar ka informuar se është rezervuar kapaciteti prej 2,6 miliard metër kub gaz për 15 vitet e ardhshme (kapaciteti i plotë është 5,5 miliard)
Ideja e Greqisë ishte që sistemi i saj kombëtar shpërndarës të furnizojë me LNG tregjet e Greqisë dhe Europës Juglindore me kusht që kompanitë shtetërore të gazit të Greqisë (DEPA), Bullgarisë (Bulgartransgas) dhe Serbisë (Serbijagas) të jenë aksionerë me nga 20% të aksioneve të terminalit, ndërsa pjesën tjetër ta financojnë kompanitë private.
Me vendim të qeverisë në Sofje kompania Bulgartransgas në fillim të këtij viti është bërë pronare e një të pestave të këtij terminali. Bullgaria shpenzon çdo vit rreth 3,5 miliard kub gas dhe në Aleksanderopullos ka rezervuar që më përpara 500 milion metër kub gaz në vit. “Vitin e ardhshëm do të jemi të pavarur përsa i përket furnizimit me gaz. Ky është diversifikimi i vërtetë“, deklaroi kryeministri bullga Bojko Borisov.
Ndërsa nga qeveria në Beograd pohojnë se nuk kanë marrë kurrë dhe asnjëfarë oferte nga Athina për të marrë pjesë në këtë projekt. Mbetet ndërkohë vetëm deklarata e fundit të vitit të kaluar e Ministrit serb të energjisë Aleksandër Antiç: “Të gjithë gazsjellësit dhe terminalet LNG në rajon, dhe kryesisht terminali në Aleksandropullos, do të mundësojnë burime shtesë për furnizimin me gaz“.
Si lokacion tjetër i mundshëm për furnizimin me gaz është përmendur edhe terminali LNG në Krka i cili fillon punë me 1 janar 2021. Kapaciteti i këtij terminali është 2,6 miliard kub gaz në vit, ndërsa firma “LNG Kroacia“ ka deklaruar se është blerë tërë kapaciteti për tre vitet në vazhdim. Shfrytëzimi i plotë i kapacitetit në Krka, mbushja solide e rezervuarit në Aleksandropullos dhe prognozat e analistëve të pavarur mbi rritjen e interesave për blerjen e terminaleve LNG i hapin dyert investitorëve për ndërtimin e një terminali të ri LNG më në jug të atij të Krkas, me idenë që të përmbyllet e ashtuquajtura oferta adriatikase për gazin LNG.
Kësisoj në skenë mund të hyjë Marrëveshja e Uashingtonit dhe, megjithëse nuk përmendet në mënyrë eksplicite, porti i Durrësit merr në këtë rast një rol kyç.
Modernizimi i këtij porti, si pikë fundore e Korridorit Paneuropian numër 8, ka filluar para disa vitesh me mbështetjen financiare të BERZH-it, BEI-së, BE-së.
Qeveria e Shqipërisë, në mesin e dhjetëvjeçarit të kaluar ka vendosur që, për shkak të arsyeve ekologjike dhe të sigurisë, vazhdimi i zgjerimit të portit të Durrësit të zhvendoset në një largësi 6,5 kilometër nga fshati Porto Romano. Gjoja patën filluar edhe përgatitjet për zgjerimin e Porto Romanos në në mënyrë që ai të kishte mundësi të priste të gjithë anijet që lundrojnë një Mesdhe.
Tërheqjes së portit të Porto Romanos nuk i shpëtoi para disa vitesh as biznesmeni serb Vojin Llazeviç i cili, sëbashku me partnerin nga Bosnjë e Hercegovina Damir Fazlliç, blenë 20 hektarë truall kënetor me idenë që të ndërtonin një terminal ndërkombëtar për naftë dhe gaz LNG. Mediat atëbotë patën informuar se Llazereviçi dhe Fazlliçi e kishin paguar atë truall me 30 milion dollarë, por informacionet nga qarqet e biznesit bëjnë me dije se Llazareviçi për këtë projet ka vënë në dispozicion një miliard dollarë.
Megjithatë, shumë shpejt, i tërë projekti u vu në pikëpyetje, sepse firma e Llazareviçit në Serbi, „Rudnap“, ishte e mbytur në borxhe, ai u përpoq ta rinkonstruktojë, por nuk i’a arriti, e për pasojë bankat në Shqipëri aktivizuan hipotekën në 15 hektarë në portin e Porto Romanos.
Fati i mëtejmë i këtij projekti mbeti i panjohur, ndërsa Llazareviçi nuk e mori kurrë më veten nga kjo aventurë investuese shqiptare e bashkuar kjo edhe me problemet financiare të kompanisë së tij serbe.
Durrësit, si destinacion për investime dhe nyje lidhëse vitale rajonale i është rritur rejtingu në mënyrë të veçantë pas iniciativës nga Procesi i Berlinit mbi ndërtimin e autostradës Beograd-Nish-Prishtinë-Tiranë-Durrës.
Marrëveshja e Uashingtonit e targeton mes rreshtave Durrësin/Porto Romanon si lokacion për terminalin e ri në të cilin do të shkarkohet dhe rigazifikohet LNG amerikane dhe që aty nëpërmjet gazsjellësve të ardhshëm (por edhe nëpërmjet hekurudhës) do të transportohet deri në tregun e Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Shqipëria, në mënyrë që të diversifikojë furnizimin me energji, e ka përcaktuar tashmë strategjinë e saj të rrjetit të gazsjellësve në të cilin Durrësi ka një vend të veçantë. Krahas konjeksionit me Greqinë dhe Malin e Zi është planifikuar edhe një gazsjellës i gjatë 260 kilometër Shqipëri-Kosovë (ALKOGAP) ndërtimi i të cilit do të kushtojë 210 milion euro.
Ai duhet të transportojë gazin që arrin me gazsjellësin e Anadollit (TANAP), transadriatikun (TAP), por ka kapacitet të marrë edhe atë të rigazifikuarin-LNG nga porti i Porto Romanos.
Megjithëse i ideuar si gazsjellës shqiptaro-kosovar, ALKOGAP-i është projektuar që kapaciteti i tij mund të trefishohet nëse zgjatet (të themi deri në Nish) dhe të shfrytëzohet për furnizimin e vendeve të tjera në rajon.
Marrëveshja e Uashingtonit saktëson se korporata amerikane për zhvillim ndërkombëtar (DFC) do të jetë servisi financiar për këtë paketë infrastrukturore por edhe për projektet shtesë bilaterale (terminali dhe gazsjellësi).
Ndërsa Eksim banka do të kreditojë blerjen e gazit LNG të lirë amerikan gjë që do t’ua mbyllë gojën atyre që pohojnë se gazi rus është më i lirë. Sepse, argumenti se LNG amerikan është tejet më i shtrenjtë sesa gazi rus nuk është më i vlefshëm sepse këtë vit çmimi i LNG ka rënë shumë.
Nikos Cafos, bashkëpuntor i lartë në qendrën për studime strategjike ndërkombëtare në Uashington pohon se gazi i lirë natyror i lëngshëm do të jetë dukuri e zakonshme e shkaktuar nga çmimi i ulët i naftës, prodhimi shumë i madh i LNG-së dhe krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19.
Përshembull, ishte çmimi i lirë i LNG-së shkaku që në muajin prill të këtij viti Turqia importoi LNG nga SHBA-të më shumë se dyfishin e një muaji më parë, ndërsa, sipas informacionit të agjensisë rregullatore (EPDK) të datës 28 maj, Turqia importoi 2,06 miliard metër kub, gjë që përbën 52,5% të importit të përgjithshëm të gazit në Turqi. Turqia, një të tretën e nevojave të saj e plotëson me furnizimin me gaz natyror të lëngshëm. Përveç konsumit të brendshëm Turqia llogarit që së shpejti të shndërrohet në nyje rajonale për shpërndarjen dhe shitjen e energjentëve në tregun e Europës Jugore. Për këtë kompania e ndërtimit Enka përgatitet të ndërtojë një terminal të ri LNG në Izmir.
Edhe BE-ja po rrit furnizimet e saj me LNG-në amerikane- vitin e kaluar e ka rritur pesë herë importin e saj.
Për shkak të kërkesës së rritur operatori polak i infrastrukturës së gazit Gaz-System, para tre muajve ka filluar zgjerimin e terminalit në portin Svinoujshçe gjë e cila do të kushtojë 483 milion dollarë. Gazi rus përbën më shumë se gjysmën e konsumit të gazit në Poloni.
Aroma e përfitimit po i tërheq investitorët në biznesin e LNG-së.
Në tregun e investimeve nuk ka kaluar pa u vënë ré vendimi i qeverisë japoneze të fundit të vitit të kaluar që sëbashku me partnerët privatë të investojë 10 miliard dollarë në terminalet LNG në mbarë botën.
Diversifikimi i burimeve të furnizimit me energjentë sjell përfitime edhe për konsumatorët. Kjo shihet më së miri në Lituani. Ky shtet në vitin 2014, pas ndërtimit të terminalit Nezavisnost në Klapejda dhe mbushjes së tij me gaz të lëngshëm natyror amerikan, ka arritur që me kompaninë ruse Gazprom të blejë gaz me 20% më lirë në raport me çmimin e mëparshëm.
Këtë përfitim konsumatorët e Serbisë nuk do ta ndjejnë menjëherë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit. Sepse, eksperienca e Polonisë, Greqisë, Lituanisë, Bullgarisë dhe Kroacisë tregojnë se projektet strategjike infrastrukturore ideohen për afate të gjata kohore.
*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza