‘Pompeu’ i ri Mike, asnjë Çezar në Shqipëri

Alfred Lela

Pompeu, gjenerali romak, ka zhvilluar disa beteja në territoret shqiptare, dikur vise të Ilirisë antike. Spartak Ngjela në serinë e librave me kujtime ka një episod me të atin, ish-ministër i Enverit, teksa ndalen diku në Durrës, në afërsi të shkëmbit të Kavajës, gjatë një pushimi ndërmjet transferimeve nga një burg komunist në tjetrin.

“Këtu Pompeu dhe Çezari kanë zhvilluar një betejë të madhe në antikitet”, i thotë Ngjela të atit. Regjimi juaj nuk qe i zoti as të vinte një pllakë për ta përkujtuar këtë ngjarje madhështore. Në vend të saj ju krijuat këngën “Bubullin te shkëmbi i Kavajës”.

Ironia e Ngjelës është edhe ironia e historisë, e cila është gjithmonë një përsëdytje, siç është e tillë edhe një tjetër betejë e dy romakëve të famshëm, diku në qafën e Llogorasë, përmbi qytetin e lashtë të Orikut.

Nuk se duhet të krijojmë një mitologji të re për Shqipërinë, si sheshbetejë e të tjerëve, duke qenë se kjo në vetvete nuk ka tjetër të mirë veç një atraksioni, një ‘grope të vogël të zezë’ turistike, nga ato që gjen gjithkund në botë dhe në të cilat skota e turistëve, jo në naivitet por në moskokëçarje, bien kaq lehtë. Fundja njerëzit shkojnë me pushime për të mos e marrë veten dhe as jetën seriozisht, për të menduar të kundërtën e asaj që u kërkohet në punë, think inside the box.

Një ‘gropë e vogël e zezë’, ku shqiptarët e fusin shpesh veten është projeksioni i marrdhënies preferenciale politike të vendit të tyre më Fuqitë e mëdha; edhe më marramendës bëhet ky iluzion për krerët politikë dhe lidhjet e tyre, takimet, fotot me dinjitarët e fuqishëm të botës, sidomos amerikanët. Çezari dhe Pompeu janë zëvendësuar në kohët tona nga Trumpi dhe Pompeo. Vetëm rastësisht, ndoshta edhe ironikisht, Sekretari i marrdhënieve me jashtë i ShBA mban thuajse të njëjtin mbiemër me gjeneralin romak të antikitetit. Kjo rastësi forcohet në imagjinatë nga një betejë e moszhvilluar e Sekretarit amerikan, i cili do të shfaqet rreth e rrotull viseve tona ilirike gjatë një vizite në tetor, por jo në Orikum dhe as në ‘shkëmbin e Kavajës’.

Pomepo do të vizitojë Maqedoninë e Veiut, Malin e Zi, Greqinë, Vatikanin dhe Italinë, duke e shmangur Tiranën, edhe pse pak kilometra larg kryeqytetit, fle i madh si një qytet antik një kamp i muxhahedinëve iranianë, një ‘dhuratë shqiptare’ për grand projektin amerikan. Po të pyesësh shqiptarët, ata të thonë se besnikëria dhe dashuria e tyre për Amerikën, më e larta në botë sipas sondazheve, është në fakt ofrimi më i madh në altarin e kësaj marrdhënieje speciale. Çfarë ka ndodhur atëherë, për këtë shmangie aspak përkëdhelëse të Pompeos? Sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit, që ka folur për Zërin e Amerikës, Sekretari Pompeo do të vizitojë vendet e sapoantarësuara në NATO. Çka është pjesërisht e vërtetë, duke qenë se vetëm Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë antare të sapofutura në Aleancë, por turi përfshin edhe tre vende të tjera. Sigurisht, Italia dhe Vatikani shpjegojnë katolicizmin e Pompeos dhe prejardhjen e tij italiane (ndër të tjera do të vizitojë edhe shtëpinë e të parëve në Abruzzo-sqaron deklarata e DASh). Greqia, në sytë e politikës së jashtme amerikane ka patur dhe ka shumë kuptime; më i riu ndër ta mund të jetë edhe ardhja në pushtet e një force konservatore si Nea Demokracia e Micotaqisit. Një përkëdhelje për të ngjashmit është gjithashtu pjesë e diplomacisë.

Lënia jashtë e Shqipërisë, në një tur që mund të quhet ‘i zgjeruar’ (vini re: Pompeo do të vizitojë liqenin e Ohrit dhe një manastir që gjendet në brigjet e tij!), edhe pse mund ta quajmë rastësi, duke ditur se amerikanët kurrë nuk u besojnë rastësive, do na duhet ta quajmë shenjë.

Në rrafsh të shenjave, do të bënim shumë teprime duke u shfaqur anti-qeveritarë dhe duke e shpjeguar këtë shpërfillje me Ramën dhe administratën e tij nën këto ngjyra. Ku ka dështuar kryeministri, në projeksionin e Shqipërisë në Uashington, duke ngjallur rezerva atje, apo në amatorizmin e trupës diplamtike në kryeqytetin e ‘Romës së re’?

Pompeo, që vjen thuajse me pushime në viset ilirike, dhe nuk afrohet në Shqipëri as sa për një pllakë përkujtimore, është, në më të paktën, shenja se ‘bubullin te shkëmbi i Kavajës”.