“Thyej Heshtjen”, fushata e OSBE-së për ’16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore’

Me 25 nëntor ka nisur fushata e ndërgjegjësimit “Thyej Heshtjen” nga OSBE-ja (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë). Fushata vazhdon ende dhe kushdo mund të bëhet pjesë duke dhënë kontributin e tij përmes edhe rrjeteve sociale.

Fushata në mediat sociale, mund të ndiqet në rrjetet sociale të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në Twitter dhe Facebook, si edhe në Instagramin e OSBE-së.  Kjo është një nga mënyrat më efikase për të rritur ndërgjegjësimin ndaj dhunës së grave dhe për të pasur më shumë impakt, në dhjetor, OSBE-ja do të shpërndajë postera në rajonet e policisë, në mbarë vendin. Kjo jo vetëm rrit ndërgjegjësimin për dhunën ndaj grave por dhe rolin e policisë në luftën kundër kësaj dhune.

Fushata bazohet në gjetjet kryesore të Anketës së OSBE-së për Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave, në të cilën u intervistuan mbi 15 mijë gra, në shtatë Shtete pjesëmarrëse: Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Moldavi dhe Ukrainë. Anketa u zhvillua edhe në Kosovë. Në Shqipëri, pjesë e anketës u bënë 1 800 gra. Dhuna kundër grave është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, e megjithatë, ajo mbetet një fenomen i përhapur nëpër botë.

Rezultatet e anketës së OSBE-së treguan se dhuna kundër grave vijon të jetë e pranishme në Shqipëri. 19 për qind e grave kanë përjetuar dhunë fizike dhe 4 për qind thonë se kanë pësuar dhunë seksuale nga partneri intim. Më shumë se gjysma e grave (62%) kanë pësuar dhunë psikologjike nga partneri. 34% e grave kanë përjetuar ngacmim seksual që prej moshës 15-vjeçare dhe 17% e kanë pësuar këtë lloj ngacmimi gjatë 12 muajve përpara zhvillimit të anketës.

Rrallë herë gratë i denoncojë rastet e dhunës tek autoritetet përgjegjëse. Vetëm 3% e grave, që pësuan dhunë nga partneri aktual, denoncuan në polici rastin që iu dukej më i rëndë, dhe thuajse gjysma e grave të intervistuara në Shqipëri (48%) mendojnë se dhuna në familje është një çështje private, e cila duhet të trajtohet brenda familjes. Turpi, frika, varësia ekonomike dhe mosbesimi tek institucionet janë pengesat kryesore të identifikuara nga gratë si arsye për mosdenoncimin e dhunës.

Dhuna kundër grave ndodh në hapësira private dhe publike: në shtëpi, në punë, në shkolla dhe universitete, në rrugë dhe në mjetet e transportit publik. Ajo mund t’i ndodhë çdo gruaje, duke e prekur rëndë mirëqenien e saj dhe duke e penguar të marrë pjesë plotësisht në shoqëri.

Dhuna kundër grave është rezultat i pabarazisë gjinore, e cila bazohet në normat dhe sjelljet e dëmshme ekzistuese. Për të ndryshuar perceptimin se ngacmimi seksual apo dhuna kundër grave është normale dhe çështje private, ne të gjithë mundemi dhe duhet t’i mbështesim e t’i nxisim gratë të denoncojnë çdo rast të dhunës dhe të marrin ndihmën që iu nevojitet. Në Shqipëri, ndihma ofrohet përmes Linjës Kombëtare të Këshillimit, www.hotlinealbania.org, në numrin falas të telefonit 116 – 117.