Flash News

KRYESORE

Akil Kraja: Të rinjtë po diskriminohen, po promovohet shoqëri e kriminalizuar

Akil Kraja: Të rinjtë po diskriminohen, po promovohet shoqëri e

Këshilltari i PD Akil Kraja mendon se ndër më të rëndat kriza që po kalon sot vendi ynë, është ajo që prek rininë. Ai këtë krizë e përkufizon si një aparteid social e kriminal, një shtypje financiare, morale e politike, që po merr jetë të rinjsh të pafajshëm.

“Në çdo nivel e në çdo hallkë të shoqërisë, rinia shqiptare është e dyzuar mes dy botësh që janë qartazi në konflikt me njëra tjetrën. Në një krah shoqëria e krimit, dhe në tjetrin, shoqëria e punës. Në një krah dhuna, arroganca, fuqia e supremacia e të paprekshmëve, dhe në krahun tjetër vuajtja, shtypja, pamundësia që çon deri tek vrasja në seri e të rinjve shqiptarë. “, shkruan Kraja në profilin e tij në facebook.

Ai mendon se që një i ri shqiptar të gjejë sot një vend pune, në pamundësi për ta blerë atë, duhet nxjerrë ose teserën e partisë, ose numrin e telefonit të mikut me pushtet.

“A janë këto shembuj të mjaftueshëm për të folur për një aparteid? Mosha mesatare në vendin tonë ka arritur aktualisht 36.7 vjeç për shkak të eksodit masiv të të rinjve. Studim pas studimi, mbi 80% e të rinjve shprehin ambicien për t’u larguar nga vendi. Qartazi arsyeja është diskriminimi, si burim i varfërisë dhe humbjes së shpresës. Të rinjtë ndihen të diskriminuar nga mungesa e meritokracisë, nga mungesa e konkurrencës së lirë, e ligjshmërisë, e moralit ekonomik dhe demokratik. Dhe kjo prek çdo hallkë të shoqërisë, çdo të ri, në çdo nivel.”

Kraja është i shqetësuar se shembulli i suksesit për të rinjtë shqiptarë mbeten Valdrinat e Jorgot, sepse ata vazhdojnë të mbeten në pushtet.

“Këta anti-heronj ndihen të fortë, të mbrojtur e të paprekshëm. Ata promovohen nga një shoqëri thellësisht e kriminalizuar që artin e realizmit socialist e ka zëvendësuar me artin e realizmit kriminal. A i keni dëgjuar ndonjëherë këngët që përcillen sot nga radiot shqiptare? A keni pyetur ndonjëherë sesi dhe kush e financon artin shqiptar sot? Dhe nuk e kam fjalën vetëm për artin e rrugëve, por dhe për skenat dhe këngëtaret më prestigjioze që shiten si shembuj suksesi e talenti.”

Ai mendon se të rinjtë që besonin tek puna, tek konkurrenca e lirë dhe e ndershme, tek edukimi profesional e jo tek mësimet e rrugës, tek forca e kontratës ligjore e jo tek kontrata e plumbit, tek fitimi nga sipërmarrja dhe jo tek paraja e shpejtë e drogës janë në opozitë.

“E ritheksoj se nëse me “aparteid” nënkuptojmë një lloj shtresëzimi të dhunshëm shoqëror kundra një grupimi për shkak të një trajtë përbashkuese, etnike, fetare, gjeografike, politike apo ngjyre të lëkurës, atëherë realisht mund të themi se në Shqipëri aparteidi ndaj të rinjve po bëhet mbi bazën e vlerave. “

Të fundit