Flash News

OP-ED

Alternativlos

Alternativlos

Zef ZEFI

1- Kriza si dukuri normale brenda balancave delikate të politikës

Fjala "alternativlos" u zgjodh si fjala më e keqe e vitit në Gjermani në 2011. Në shqip alternativë-humbur ose mos-alternativa. Kjo fjalë i referohej krizës politike gjermane 2011-12, përfundimin e së cilës e njohim me rikonfigurimin, jo pa vështirësi, të qeverisë nga Kancelarja Merkel. Në Itali ka mëse një javë që politika ka hyrë në krizë qeveritare e kërkuar, siç u bë e qartë, nga një komponent i shumicës qeveritare për të verifikuar numrat me zgjedhje të parakohshme. Por ka edhe rrugëdalje të tjera që mund të vijë nga aleancime të tjera brenda legjilslaturës. Ky është sistemi demokratik. I brishtë, që herë varet nga numra racionalë, herë nga sentimente politike, herë nga perceptime të përgjithshme sondazhesh dhe plot faktorë të tjerë që variojnë, por që nuk degjeneron më tej sepse ka një bazë të fortë garantiste, ndarjen e pushtetit. Vetë fjala krizë mbërrin nga gr. "krisis" e prejardhur gjithashtu nga "krino" gjasim, gjetje drejtimi, njekohësisht çast i vështirë.

Thuhet se edhe ideograma e kinezishtes së vjeter që emërton krizën, përmban dy shenja nga të cilat njëri shënon rrezik dhe tjetri mundësi, rrugëdalje. Si kriza gjermane, ashtu, ajo greke dhe të panumërtat e botës së lirë, si kjo e freskëta në Itali, kanë një veçori: krizat menjëherë karantinohen brenda konkurencës për pushtetin e radhës, duke e spostuar gjithë mbështetjen tek institucionet e pavarura të vendit; Presidenti, Kushtetuta, Parlamenti, Drejtësia. Dhe këtë e bëjnë së pari intelektualët, pushteti i mediave (i katërt), po aq i pavarur bashkë me shoqerinë civile dhe masivisht qytetarët. Po në Shqipëri?

2- Shtet-bërja, një retrospekt i domsdoshëm: Thomas Hobbes para 400 vjetësh (1588-1679) siç thuhet në terminologjinë moderne, është i pari që e uli shtetin në tokë, i pari që shtetin nga trashedental (hyjnor) e bën tokësor e njerëzor (Hobbes "Leviathan"). Në mënyrë skematike po nënvizojmë dy fakte influente që e determinojnë oferten filozofiko-politike të Hobs: Në periudhën e tij, luftrat civile e identitare kishin përfshirë Anglinë e tij dhe pothuaj gjithë Europën e asaj kohe. Ndërsa në kontekstin filozofik, dekartizmi ishte filozofia më influente e kohës. Hobs, ndryshe nga Makiaveli, nuk është storicist. Sipas tij politika nuk është hapësira e improvizimit, e fatit apo rastësisë, por është shkencë racionale e kuptimit të realitetit. Hobs, duke parë studimisht gjendjen politike, niset nga lufta e Peloponezit, e Spartës dhe luftrat civile të ishujve grekë për dominim, kohë që përkon me rënien e civilizimit antik dhe dominimin e Aleksandrit të Madh.

Ndryshe edhe nga Aristoteli, me njeriun "zoo-politikon", arsyetimi i Hobs është se politikën njeriu e zgjedh për interes. Ku bazohet: Hobs niset nga premisa se njeriu si qenie natyrore lind me të gjitha të drejtat absolute natyrale, për t'u ushqyer, jetuar e shkuar jetën në punë e paqe. Mirepo egoizmi i dikujt, a disave, për të marrë gruan, shtëpinë, apo pronën e tjetrit ose grupit dhe për të dominuar, njofton nga ana tjetër rezistencën dhe reagimin e të plaçkiturit. Kjo çon në prishjen e gjendjes, duke e transferuar situatën, pra njeriun, nga gjendja natyrore, në gjendje lufte. Individi në gjendje lufte ose i ka të rrezikuara ose humb gjithçka nga të drejtat natyrore deri ajo minimalja, sigurinë e jetës. Fle sonte, po nesër mund të mos zgjohet, sepse e ka asgjësuar i ngjashmi. Lufta civile është luftë për dominim identitar, individi, grupi. Nis, por përfundimi është i qartë, nënshtrimi, shkatërrimi ose zhdukja e palës tjetër. "Homini hominem lupus" (njeriu, ujk për njeriun). Mirëpo njeriu si qënie racionale, duke patur frikë vdekjen, ka po ashtu prej natyre aftësinë bashkëpunuese dhe kalkuluese. Ndaj ndërmerr hapin e parë drejt bashkëpunimit, "pactus unionis". Njerëzit mblidhen dhe pleqnojnë. Në këtë fazë ka lindur dhe "pactus societatis", që do të thotë njëkohësisht se është bërë hapi i parë politik. Eshtë kapërcyer gjendja parapolitike, si ajo me të gjitha të drejtat absolute, ashtu dhe gjendja e luftës. Në pleqnim bashkohen të gjitha liritë e të drejtat natyrore, që përbëjnë sovranitetin për t'i dorëzuar në dorë të një subjekti juridik "terzum super partes" (triumvirat, mbret ose sovran në këmbim vetëm të një lirie, asaj për të jetuar. Hapi i dytë brenda pleqnimit, sovrani duhet të zgjidhet me shpejtësi të rrufeshme dhe të fillojë ushtrimin e pushtetit, mbasi çdo vonesë, "pactus unionis" (mbledhja) mund të degjenerojë prapë në përleshje te gjendja e luftës. Për Hobs sovrani është një mostër potente leviatanike, sipas figurës biblike, që ka forcën dhe e përdor atë, unik i pandashëm, i paprekshëm dhe i pazëvendësueshëm. Rregulli dhe e drejta e kanë një çmim. Paqja pas tridhjetë vjet luftrash civile e Europës "Ëestafalja"sigurisht ka firmën e padiskutueshme të mendimit hobsian.

Pak më vonë do të shohim se Rusó dhe Lock kanë një mendim tjetër: Skematikisht një vështrim vetëm mbi anglezin tjetër, John Sebastian Lock (1632-1704). Lock jeton në Anglinë e revolucionit të dytë anglez (pa gjakderdhje), është armik i absolutizmit, si i atij trashendental (hyjnor, parahobsian) ashtu dhe kundër atij leviatanik të Hobs. Gjithashtu është i mbarënjohur si Ati i liberalizmit modern dhe tolerancës. Arsyetimin e tij e nis nga të njëjtat baza si Hobs, gjendja parapolitike, por me një ndryshim thelbësor; njeriu antropologjikisht nuk është ujk për të ngjashmin, sepse ka intelektin, është racional, bujar, solidar i dhimbsur etj. Dhe ka prej natyre (gjendjes natyrore) kapacitetin të bashkëjetojë. Gjithashtu njeriu nuk është i lirë prej natyre të dëmtojë tjetrin duke dalë prej natyrës, porse ndjen ekzigjencën e bërjes së drejtësisë vetë. Ndaj liritë e të drejtat natyrore nuk mund të rrezikojnë njeriun dhe bashkëjetesën, përjashtuar një prej tyre kur intelekti errësohet; vetëgjyqësia. Hakmarrja thotë filozofi, është një spirale e pafund dhe e verbër. Dhe në "pactum unionis," njeriu duhet t'i dorëzojë shtetit vetëm një nga liritë natyrore: Të drejtën e vetëgjyqësisë, hakmarrjes. Të gjitha të drejtat e tjera natyrore duhet t'i mbajë vetë, ndërsa shteti ka për detyrë garantimin e tyre për cilindo që i preken ato. Shteti totalitar e absolutist, sidoqoftë ai, filmerian apo hobsian, anulon identitetet e veçanta duke i kthyer njerëzit në një masë "unikum" amorfe, asgjëson personalitetin, në funksion të diktatorëve. Ndaj për Lock si kontraktualist, si juri-natyralist e liberal, parashikon një seri dakordimesh paraprake. Ai sqaron se shteti është bir i një kontrate, dhe mjet për të mbrojtur të drejtat e liritë e qytetarëve. Sovrani nuk është unik, po pushtetet duhet të jenë të ndarë, legjislativi me përfaqësues të votuar duhet të bëjë ligje, por nuk mund të ekzekutojnë. Ekzekutivi, nuk duhet të bëjë ligje, ashtu dhe institucionet e drejtësisë të cilat nuk janë asgjë tjetër përveçse tutorët e të drejtave natyrore, civile e politike të shtetasve. Shteti nuk mund të përdorë dhunë pa vërtetimin e fajësisë, nuk mund të tejkalojë asnjëherë ligjin, përndryshe, qytetarët që e kanë legjitimuar kanë të drejtën e rezistencës e mosbindjes, dhe heqjen e këtij prerogativi, për t'ia dhënë një tjetri. Një sensibilitet të veçantë babai i shtetit liberal tregon sidomos ndaj së drejtës së pronës private, lirisë së besimit, së drejtës së grupimit, asaj të rezistencës për ta deligjitimuar pushtetin që nuk respekton të drejtat natyrale, civile e politike të shtetasve.

3- Shtetbërja me shtet-vrasës; Alternativlos, fjalë e keqe. Janë dy kategoritë që po e vrasin e rivrasin shtet-bërjen tonë prej 107 vjetësh: -Alternativlos-i i injorancës ekstreme; Injoranca e lindur prej natyre si për gjithë specien njerëzore, për shkakun natyror se njerëzit nuk lindin të lexuar. Injoranca e kultivuar nga shkollimi handikap prej gati 70 vitesh. Kjo injorancë jona mazhoritare nuk ka përse të deduktohet nga pasoja, ajo shpërfaqet, kallxohet e shkruhet sidomos në kohë dixhitale. Mjafton të dëgjosh a lexosh arsyetime të diplomuarish, me tituj shkencore akademikësh, popull e opinion-shkrues nëpër "social" deputet apo aparatçik, ububu-ja ta shterr frymën.

Të huajt, ata të botës së cilës duhet t'i përkisnim mejtohen pas shprehjes së dylltë të diplomacisë. Kurse armiqtë historikë me buzëqeshje, na puthin udhëheqësit... -Alternativ-losi tjetër është ai kriminal pervers e mercenar, agjentët e axhendave dhe agjensive që kanë patur objektiv mos-ekzistencën e Kombit shqiptar. Të paktën prej vitit 1941. Këta kanë vrarë e vrasin me pushkë opozitën politike, këta çojnë në varr e në burg mendimin tjetër që nuk është si i tyri, në vend ta mbrojnë siç e përcaktojnë detyrimet kushtetuese, të pakten deri më 1976, dhe pas viteve 90-të. Këta kanë sunduar me terror, grabitje pronash e luftë ekstreme civile, këta kanë sulmuar me armë shtetin më e pakta tri herë në 78 vjet, kanë grabitur votat, kanë përdhunuar të drejtat natyrore dhe civile të njeriut. Kanë rrënuar familje, vrarë e shfarosur fëmijë e pleq. Këta qeverisin prej 68 vjetësh, pa u përballur qoftë dhe një herë me drejtësinë, sepse kanë vrarë alternativën, dhe sot sapo e shohin të shfaqet në horizont, e masakrojnë mediatikisht në sy dhe të botës së lirë. Pompojnë urrejtje e përçarje, dezinformacion e përçudnim, duke estetizuar të keqen, duke vënë në diskutim intelektin shqiptarëve dhe poshtëruar ata.

Modeli i tyre, kur duan të shënohen si patriotë, është ose Ali Tepelena parapolitik, Noli anarkisto-komunist, ose Hoxha një halldup gjakësor, ndërsa lihen mënjanë kryeqeveritarët e qeverive pas Kongresit të Lushnjes. Kriza e ka zgjidhjen të brendashkruar, qysh nga kinezishtja, shoqëria parapolitike, ajo moderne Hobsiane dhe ajo Lockiane. Sepse alternativë është çdokush që është kundër pushtetit kriminal, dhe mbështet minimalisht institucionet e tjera kushtetuese akoma të pa asgjësuara nga krimi. Intelekti shqiptar nuk e votoi anti-alternativën, antishtetin as në 2017, as me 30 Qershor 2019. Ka bërë hapin e parë. Përbindëshin e ka deligjitimuar. Hapi i dytë është e drejta e rezistencës deri në shembjen e tij, për ta nxjerrë para drejtësisë. Alternativë-vrasësi, alternativlosi është fjalë e keqe sepse është kriminel.

Të fundit