Flash News
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Analiza/ Trampi i afrohet Erdoganit, por i kthen shpinën BE-së; a do të ketë përfitim nga kjo?
Zoran Meter/ Geopolitika.news
Biseda me presidentin turk Erdogan ishte e mrekullueshme, deklaroi të premten e kaluar në Uashington presidenti amerikan Donald Tramp. Megjithatë problemi këtu është se këto bisedime nuk dhanë asnjëfarë rezultati. Por le ta fillojmë me radhë.
Të mërkurën me 13 nëntor, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u prit zyrtarisht në Uashington nga Presidenti amerikan Donald Tramp. Bëhej fjalë për një vizitë kontraverse për më së paku dy arsye: e para, që para njëzet ditësh, pasiqë Turqia filloi një operacion ushtarak të quajtur „Burimi i paqes“ në Veri të Sirisë, Trampi i dërgoi një letër Edroganit me frazën „mos u bëj budalla“ (të cilën Erdogani e hodhi menjëherë në koshin e plehrave), gjë e cila tregon qartë për dramatikën e marrdhënieve amerikano-turke, sepse me siguri që kjo nuk është as retorika dhe as mënyrat e zakonshme në dialogun mes kryetarëve të shteteve antare të NATO-s, por as edhe e diplomacisë në përgjithësi; e dyta, Trampi brenda vendit u përball me kritika të ashpra nga radhët e opozitës, se përse e ftoi kreun turk në vizitë në SHBA në kohën, kur Kongresi dhe aleatët europianë, i kanë vënë sanksione Ankarasë (kujtoj këtu edhe rezolutën e votuar para pak kohësh të Dhomës së Përfaqësuesve mbi genocidin turk ndaj armenëve në vitin 1915, në kohën e Perandorisë Osmane).
Të gjithë kritikët e kësaj lëvizje të Trampit janë për kthimin në politikën e Lindjes së Afërme të Obamës, e cila edhe shpuri në ftohjen e marrdhënieve me Ankaranë, jo vetëm për shkak të mbështetjes amerikane për kurdët sirianë, (gjë që vazhdon akoma, megjithëse raportet me kurdët janë lëkundur nga fakti që Trampi e lejoi Erdoganin të kryente operacionin ushtarak „Burimi i paqes), megjithëse ky është problemi më i madh për Turqinë. Nga ana tjetër përpjekja e Trampit për afrim me Erdoganin nuk është rezultat i ndonjëfarë simpatie të beftë (deklaratën „mos u bëj budalla“ tani e zëvendësoi me shprehjen „miku im i madh turk“), por është pranimi i faktit se me Erdoganin nuk mund të arrihet asgjë „me forcë“ dhe „nga lart“. Për këtë dëshmon edhe „zbutja“ e përgjithshme e retorikës së politikës amerikane ndaj Turqisë javët e fundit, pasiqë Departamenti i Shtetit për muaj të tërë e kishte kritikuar me tone shumë të ashpra politikën turke, jo rrallë në kombinim edhe me kërcënime të hapta për vendosje sanksionesh, rritje të tarifave doganore, largimin e Turqisë nga programet e përbashkëta ushtarake, kërcënime për ndalim eksporti të armëve amerikane etj, Trampi tani është tërhequr plotësisht dhe, në vend të kërcënimeve, ia filloi të lavdërojë politikën konsistente të Erdoganit, për të cilën arriti deri aty saqë fajin për blerjen nga ana e turqve të sistemit raketor modern rus „S-400 Triumf“, e kaloi nga Erdogani te administrata e Obamës e cila nuk e pati lejuar Turqinë të blinte sistemet antiraketore amerikane „Patriot“. Natyrisht që kjo nuk është e vërteta e plotë, sepse edhe administrata e Trampit i është kundërvënë ashpër këtij biznesi ushtarak me Turqinë, e është pikërisht ajo, dhe jo administrata e Obamës, që ka ndaluar dërgimin e avionëve të padukshëm amerikanë të gjeneratës 5 Su-57 ose gjeneratën 4++ Su-35, gjë e cila ishte një fiasko e madhe për kompleksin industrialo-ushtarak amerikan, Trampi thjesht vuri kokëposhtë prioritetet dhe ndryshoi taktikë, gjë për të cilën ndryshimi i retorikës nga „budalla“ në „mik“ është më i vogli.
Për shkak të të gjithë këtyre, vizita e Erdoganit, në një masë të madhe bënte pjesë në kategorinë „të jesh a të mos jesh“, ose më mirë të themi „të shkosh apo të mos shkosh“ në Uashington. Megjithatë Erdogani nuk pati asnjë dilemë. Përse të kishte? Ai tani është përforcuar: pas tij qëndron ndërhyrja e sukseshme ushtarake turke në Veri të Sirisë, gjë e cila de fakto do të thotë edhe dështim i kurdëve. Përveç kësaj, Erdogani ka në xhep dhe e merr me vete në Uashington, marrëveshjen që ka nënshkruar me Rusinë. Që të jemi deri në fund të hapur, janë pikërisht marrëveshjet politike dhe ekonomike si dhe raportet turko-ruse pesha më e madhe reale dhe politike që i jep Erdoganit mundësinë e qëndrimeve të tij superiore në politikën e jashtme, vënien në jetë të vendimeve të rëndësishme dhe mungesa e frikës para shtetarëve perëndimorë, gjë që e tregoi edhe në këtë takimin e fundit me presidentin amerikan.
Në mënyrë që deri diku „të zbuste“ dhe të shtynte më lehtë kërkesat e tij, Trampi i propozoi Erdoganit, para nisjes së tij në Uashington, një marrëveshje tregtare me vlerë 100 miliardë dollarë, me shpresën për një zgjidhje pozitive rreth blerjes së sistemit raketor rus S-400 gjë për të cilën edhe janë vënë sanksionet antiturke (Uashington Post, 13 nëntor). Kjo letër me siguri që nuk përfundoi në koshin e plehrave të Erdoganit.
Në të vërtetë, çështja e S-400 është ajo që i dhëmb më shumë palës amerikane, për të cilën (si edhe për ndërhyrjen turke në Siri) Kongresi në fund të muajit tetor miratoi ligjin mbi sanksionet kundër sektorit financiar turk. Disa strategë dhe analistë amerikanë pohojnë se Erdogani do të jetë i detyruar të heqë dorë nga sistemet ruse S-400 dhe se Trampi do t’i argumentonte atij se në NATO nuk ka vend për furnizime të mëdha me armatime ruse. Por këta analistë gabojnë rëndë, siç kanë bërë edhe herë të tjera vitet e fundit me konkluzionet e tyre, sepse nisen nga pozitat e interesave amerikane, dhe jo nga ato reale dhe nga një shikim më i gjerë i gjërave, të cilat, për rregullimin e një strategjie të drejtë amerikane, të cilat, do të thonë shumë më tepër sesa „lyerja dhe llakimi“ analitik dhe „servilizmi“ që shfaqin ata ndaj sponsorëve të tyre.
A u realizua ndonjë përparim në lidhje me S-400?
Fakti se takimi Tramp-Erdogan zgjati diçka më shumë se një orë (për shembull takimi Putin-Erdogan, para një muaji në Soçi, zgjati më shumë se 5 orë), në vetvete flet për atë se nuk u realizua ndonjë përparim kushedi se çfarë në raportet mes dy vendeve. Sepse nuk është e mundur që për një orë të bisedohet (e le më pastaj të merresh vesh) mbi tërë spektrin e temave serioze që ekzistojnë mes dy palëve dhe që janë grumbulluar vitet e fundit: nga blerja e sistemeve ruse S-400, bashkëpunimin amerikan me kurdët dhe çështjen kurde në tërësi, luftën e përbashkët kundër terrorizmit etj. Një orë është mezi e mjaftueshme për shkëmbimin e qëndrimeve në nivele të ulëta diplomatike dhe ekipe specialistësh, gjë që në fakt në Uashington edhe ndodhi. Kësisoj, të dy udhëheqësit, në konferencën e përbashkët për media deklaruan se për çështjen e sistemeve S-400 do të formojnë ekipe specialistësh në nivelin e ministrive përkatëse, ndërsa Erdogani një ditë më vonë tha se Turqia mund të blejë edhe një sasi shtesë sistemesh amerikane „Patriot“, nëse amerikanët japin kushte të përshtatshme.
Por, tema rreth S-400 ishte e para në tapetin e konferencës së përbashkët mediatike, gjë që vërteton edhe rëndësinë e saj. Këtë Trampi edhe nuk e fsheh por tani është shumë më i kujdesshëm me kërkesat e tij. Ai tashmë nuk „ngre kokën“, por kërkon të realizojë përparimin më të madh të mundshëm, i cili i nevojitet në fushatën parazgjedhore në truallin vendor dhe larjen e hesapeve me demokratët. Për këtë administrata e Trampit këmbëngul që S-400 në mos hyjë në përdorim operativ në ushtrinë turke, me një fjalë të qëndrojnë të „paketuara“ në bazat turke. Nën këto kushte ai i lejoi Turqisë kthimin në program dhe prodhimin e avionëve F-35. Por gjithsesi, ky variant në takimin e Uashingtonit nuk kaloi, dhe vështirë se do të kalojë edhe pas formimit të ekipeve të specialistëve amerikano-turq. Ankaraja nuk është e çmendur që të ndihmojë të tjerët në fushata elektorale në dëm të interesave të saj, dhe as edhe aq e pasur saqë rusëve t’u paguajë disa miliarda dollarë për diçka që asaj, në vend të ofrimit të çadrës së sigurisë, do të pluhurosej në kazermat e saj. Përveç kësaj Erdogani dëshiron „të ulet në dy karrige“ për të cilën ka realizuar një sërë dividendësh gjë për të cilën u fol më sipër. Për këtë Turqia mund të blejë edhe „Patriotët“ amerikanë të cilët do t’i përdorë në kuadër të bashkëpunimit brenda aleancës së NATO-s, domethënë ekskluzivisht për mbrojtje të brendshme të Turqisë-, që Ankaraja e ka theksuar disa herë, duke demonstruar frikën e pabazuar të Pentagonit se sistemet ruse do të „dekodojnë“ avionet e padukshëm amerikanë F-35 dhe me këtë do t’i bëjë ata të dobët. Puna është se çfarë do të bëjnë më tej amerikanët me këtë pozicion të Turqisë i cili me siguri do të mbesë i pandryshuar.
Trumpi mbështeti politikën e Erdoganit për refugjatët dhe kritikoi Europën
Tema e dytë me rëndësi e të dy shtetarëve ishte edhe kriza e refugjatëve në Turqi, por edhe dëshira e Ankarasë për të deportuar terroristët e arrestuar të ISIL-it në vendin e tyre të origjinës- mbi të gjithë në BE. Trampi në lidhje me këtë politikë mori një pozicion anti-europian dhe mbështeti politikën e Erdoganit. Deklaroi se vendet europiane duhet të investojnë më shumë përpjekje për të ndihmuar Turqinë, mes të tjerash ndihmë edhe të natyrës financiare, për shkak të problemeve që ka Turqia me refugjatët sirianë. Trampi, në konferencën e përbashkët për shtyp tha as më pak dhe as më shumë por: „Europa duhet të paguajë për këtë. Tani Turqia paguan më shumë se të gjithë- 40 miliardë dollarë. Shumica e atyre (refugjatëve) do të kalojnë nëpër Europë, gjë që do të krijojë një situatë shkatrrimtare për Europën. Katër milionë njerëz!“. Europa, sipas Trampit, duhet të ndihmojë gjithashtu për luftën kundër organizatës terroriste „Shteti islamik“. „Shumë nga ata (terroristët) janë larguar nga Franca, Gjermania, Britania e Madhe... unë i kam pyetur (këto vende), a dëshironi të kthehen përsëri, e ata janë përgjigjur ’Jo! Faleminderit’“, tha Trampi dhe shtoi se kjo është e „padrejtë dhe e pandershme“. Erdogani pikërisht këtë deshte të dëgjonte. Por këto fjalë të Trampit edhe nuk janë të pasakta, nëse ai, ndoshta, edhe argëtohet me mundësinë e „futjes së stërkëmbëcës“ aleatëve „frixhidë“ europianë, të cilët ai i konsideron „ekzekutorët e urdhërave të tij“. Sepse leximi i këtyre fjalëve është, këtu bëhet fjalë për luftëtarët e ISIL-it, flitet për shtetas të këtyre vendeve, të cilët „kanë pas gabuar“ dhe në atë kohë janë përfshirë në „Shtetin Islamik“ në territorin e Lindjes së Afërme. Tani, përse këto vende nuk duan të mbajnë përgjegjësinë për ata. Natyrisht, për këtë gjithsesi edhe duhen pyetur përse individëve të tillë ua kanë dhënë shtetësinë dhe kush ka dështuar në këtë proces, që nga strukturat kompetente të sigurisë e deri te politika, e cila, në fund të fundit, vendos për gjithçka. BE –ja dhe antarët e saj në të ardhmen duhet të hapin mirë sytë se cilin pranojnë në vendin e tyre dhe kujt i’a japin shtetësinë. Politika e „dyerve të hapura“ për refugjatët, pa kurrfarë hetimesh për sigurinë, shpesh edhe pa e ditur identitetin e tyre të vërtetë, ka dhënë fryte të hidhura. Ndërsa akuzat e Europës kundër Turqisë në lidhje me deportimet e Turqisë, jo vetëm që nuk kanë për të zgjidhur asgjë, por do të ndihmojnë të padrejtët dhe hipokritët për t'i përdorur për politikën e ditës. Trampi e sheh këtë dhe e përdor me bollëk si një bazë solide për ndreqjen e raporteve amerikano-turke, gjë e cila, për më tepër nuk ka asnjë kosto financiare. E gjitha kjo ndodh kur BE-ja dhe NATO-ja grinden me Turqinë dhe i vendosin asaj sanksione, ndërsa Erdogani kërcënon për hapjen e „ventilit“ të refugjatëve dhe turmën e emigrantëve.
Me fjalë të tjera, mbështetja që i jep Trampi Erdoganit, nga ana europiane e Atlantikut, që është në një konflikt me Turqinë, nuk ka për t'u pritur mirë. BE-ja i jep Ankarasë gjashtë miliardë dollarë për tu përkujdesur për emigrantët dhe as që i shkon nëpër mend të ndërtojë „hotele“ dhe qytete të tëra në zonën turke të sigurisë, që është marrë më forcë ushtarake në veri të Sirisë, punë në të cilën kanë fituar firmat ndërtuese turke. Kjo do të forconte akoma më shumë pozitën e Erdoganit në Turqi, e cila tani është e përballur me probleme të ndërlikuara ekonomike. Por, për mendimin tim- përdorimi i këtyre gjashtë miliardë dollarëve për ndërtimin e një territori „pranimi“ për sistemim afatgjatë të refugjatëve sirianë, shumë larg kufijve europianë, ndoshta edhe nuk është ide e keqe. Me këtë, do të bëhej i pamundur largimi masiv i refugjatëve nga territori i Turqisë, dhe do të binte nga duart e Erdoganit argumenti për kërcënim dhe shantazh Europës „për problematikën migratore“. Por kjo gjithsesi është një temë për disa struktura të tjera, shumë larg kësaj analizës time publike.
Mësim për Europën: kujdes në përcaktimin e politikës ndaj Ankarasë
Një gjë është e sigurtë në të gjithë këtë: Erdogani është krejtësisht i ndërgjegjshëm për pozitën e jashtëzakonshme gjeopolitike të Turqisë, për të cilën ka luftuar edhe ai vetë dhe e cila i jep mundësinë e tregtisë, të përvetësuar kaq mirë nga diplomacia lindore. Dhe për këtë është po kaq i sigurtë se ai nuk ka për ta lëshuar këtë pozitë nga duart në këmbim të ndonjë premtimi të mjegullt, i cili sot është e nesër nuk është, me ndonjë administratë të re amerikane, ku shembulli më i mirë është marrëveshja ndërkombëtare bërthamore, e cila me ardhjen e administratës së Trampit, u shndërrua në „fjalë të vdekura në letër“. Njëkohësisht Erdogani e di mirë se vënia e sanksioneve të ashpra amerikane kundër Turqisë do të hidhte atë në një pozitë të vështirë ekonomike. Kjo herët apo vonë do të shkaktonte pakënaqësi shoqërore te qytetarët turq dhe mund të ishte afrimi i fundit të karrierës së tij politike. Sepse Rusia mund ta ndihmojë në gjithçka Turqinë (bashkëpunimin tekniko-ushtarak, investime në sektorin energjetik, turizëm, bashkëpunim në fushën e bujqësisë), përveçse në çështjet e financave ku ndikimi i saj global, në ndryshim nga SHBA-të, është pak a shumë i dobët. Për këtë Erdogani, me shumë siguri, do të përllogarisë me kujdes edhe do të ekulibrojë ambicjet e tij gjeopolitike me mundësitë reale të ekonomisë turke, të cilat tani për tani nuk kanë një ritëm dinamik rritjeje. Këtu bën pjesë edhe vartësia tejet e madhe turke nga dollari amerikan. Megjithatë, Erdogani është mjeshtër i taktikave. Një shtetar që ka dëshirën dhe aftësinë për ndryshimin e diskursit të përgjithshëm publik turk dhe të klimës politike në përfitim të tij dhe për këtë me siguri do të dijë të gjejë një zgjidhje e cila do të jetë në favor të interesave kombëtare turke.
Për këtë Trampi nuk mund të bëjë çfarë të dojë me Turqinë, përfshirë këtu edhe „lojërat“ e saj dinake dhe shumëdrejtimëshe si dhe vendimet e Ankarasë për të luftuar për një bërje të pavarur të politikës së saj të jashtme, si i vetmi investim për një të ardhme të sigurt në ndërtimin e ri të botës i cili është aktualisht duke u zhvilluar. Në këtë proces, Ankaraja do të përpiqet të ruajë partnerët e vjetër dhe të krijojë të rinj, me cilin të dojë dhe kur të dëshirojë- i pëlqen kjo ndokujt ose jo. Gjëja e vetme që dëshiron Uashingtoni në këtë moment është ta mbajë, me çdo çmim, Turqinë në sferën e tij të ndikimit për sigurinë, e pikërisht për këtë nga sanksionet e mëdha amerikane kundër Turqisë me siguri nuk do të dalë asgjë. Edhe ky është një sukses i rëndësishëm i Erdoganit në takimin e Uashingtonit.
Për këtë vendet europiane, të gjithë këto mesazhe, duhet gjithsesi t’i mbajnë mirë parasysh në ndërtimin e raporteve të ardhshme me Ankaranë, por edhe me Moskën (sepse Turqia dhe Rusia janë këtu dhe ata nuk mund të ikin nga Europa edhe sikur të duan). Sepse tani në botën, në të cilën kanë rënë të gjitha maskat, kur e drejta ndërkombëtare nuk vlen asgjë, aleancat prishen dhe lindin të reja, kur vendet kyçe që bëjnë një politikë të zgjuar, më së pari luftojnë për interesat e tyre dhe vetëm pas kësaj për ndonjëfarë politike të përbashkët, pyetja (me vend) që shtrohet është: cilin nga këto-Europën apo Turqinë, Uashingtoni pragmatik do të mbështesë në rast të një përshkallëzimi serioz të konfliktit? Për këtë fjalët e para pak kohëve të Makronit për „vdekjen cerebrale“ të NATO-s dhe nevojën e formimit të një sistemi unik dhe të pavarur të mbrojtjes europiane nuk janë thënë sepse kreu i Francës paska dashur një vemendje mediatike. Franca nuk është shtet ballkanik, as krerët e saj nuk janë si ata të Ballkanit, që të kenë nevojë për gjë e gjëza mediatike, sepse për më shumë se kaq nuk janë të aftë.
*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza