Berisha kritikon fjalimin e Thaçit: Nuk duhet të vinte në diskutim territorin e Kosovës, promotor i Serbisë së madhe

Ish kryeministri Sali Berisha kritikoi fjalimin e djeshëm të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi pas akuzave të Hagës. Berisha tha se ai nuk duhej të vinte në diskutim territorin kosovar, me argumentin se përmes kësaj, ai bëhet promotor i projektit të Serbisë së madhe.

“Në respekt të të rënëve ai nuk duhet të pranonte kurrë të vinte në diskutim territorin e Kosovës. Ata janë kurbanët e pavarësisë. Nuk ka tradhëti më të lartë ndaj tyre se sa ndarja e Kosovës apo shkelja e integritetit territorial të saj.

 I takonte atij që të thoshte se prapa çdo guri të Kosovës do të lejmë një jetë dhe nuk kishte kush të drejtë në botë t’i kërkonte kufijtë atij. ShBA vendi më i fuqishëm i botës e njohu të pavarur me këto kufij që ka sot. Dolën këta aventurierët. E pastaj na betohet për gjakun e të rënëve. E ka shkelmuar atë dhe Kushtetutën, ai dhe Edi Rama të cilët bëhen promotorë të projektit të Serbisë së madhe”, tha Berisha.