Flash News

KRYESORE

Denaj ‘harron’ financat, kërkesë ISSH-ve: Dua listat me emrat e punonjësve dhe kush i ka futur në punë  

Në një kohë që kriza shëndetësore e krijuar nga koronavirusi, po pasohet me rrezikun e një krize të rëndë ekonomike, Ministrja e Financave në Shqipëri ka një shqetësim tjetër. Një burim i tregoi Politiko.al, se Drejtori i Personelit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, me urdhër të ministres së Financave Anila Denaj, u ka nisur një e-mail drejtorive rajonale në rrethe. Kërkesa e Drejtorit të Personelit të ISSH për drejtuesit e këtij institucioni në rrethe është dhënia e “informacionit me porosi të ministres për punonjësit në këtë institucion si dhe personat që i kanë rekomanduar në punë, deputetë, zyrtarë, etj”.

“Pavarësisht deklarimeve se punësimet në administratën shqiptare behën në bazë të kritereve ligjore, realiteti paraqitet krejt ndryshe. Situata e rënduar që po kalon vendi ynë nuk e ka ndaluar Institutin e Sigurimeve Shoqërore të kërkojë informacion të detajuar mbi emërimet e punonjësve në të gjithë Shqipërinë. Në bazë të një emaili kërkohet informacion i detajuar për datën kur kanë nisur punë specialistët, arsyet përse kanë filluar punën në ISSH, por vendin më të veçantë e zë rubrika rekomandime.

Në këtë rubrikë duhet të shënohet saktësisht se kush ka qenë personi që ka propozuar emrin e punonjësit për të filluar punë apo edhe për të ndryshuar pozicionin e punës. Siç duket Ministria e Financave dhe ISSH-ja janë duke përgatitur listat emërore të votuesve të Partisë Socialiste në administratën publike dhe bëhen gati për të larguar ata specialistë që nuk janë të rekomanduar nga strukturat e Partisë Socialiste. Kjo bazuar në faktin se informacioni që kërkohet për çdo punonjës të ISSH-së është aq shumë i detajuar sa duket se të gjithë punonjësit do të riemërohen nga fillimi në pozicionet e tyre të punës”, thotë burimi.

Aludimi lidhet me dyshimet se kjo gjë po ndodh me qëllim që “drejtuesit e PS-së të punësojnë në administratë njerëz të tyre dhe të zgjerojnë sa më shumë bazën e mbështetësve brenda partisë”. Megjithatë, interesant është fakti se kjo kërkesë i është drejtuar vetëm ISSH (mbetet për t`u vërtetuar nëse ka dhe institucione të tjera).

Po pse ISSH?

Deri më tani, ky institucion është drejtuar nga përfaqësues të rekomanduar nga PDIU kur ajo ishte në koalicion me PS. Astrit Hado ish-përfaqësues i PDIU-së drejton këtë institucion aktualisht, ndërsa disa drejtori rajonale gjithashtu kanë në krye ende përfaqësues të kësaj force politike.

Ndaj duket se Partia Socialiste (që kontrollon pushtetin qendror dhe atë vendor), po kërkon të “ketë nën kontroll” total edhe këtë institucion. Por këtu nuk diskutohet fati i drejtuesve politik të institucionit, por i punonjësve që mund të jenë punësuar në të shkuarën nga ata. Në një kohë që PS ka ‘predikuar’ depolitizimin e administratës publike, madje ka hapur dhe një shkollë dhe një portal (DAP) që supozohet se shërben për të përzgjedhur me meritë punonjësit e administratës, ky e-mail dëshmon të kundërtën. Shqetësues është fakti që një nga kërkesat kryesore është kërkesa për të mësuar “kush i ka rekomanduar” punonjësit në ISSH.

Të fundit