Flash News

Ditari i Opozitës

Protesta në Ksamil, Zhupa: Të ndalet grabitja e pronave

Protesta në Ksamil, Zhupa: Të ndalet grabitja e pronave

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër në mbështetje të banorëve të Ksamilit, të cilët po protestojnë kundër prishjes së banesave të tyre në emër të investimeve strategjike.

Në një postim në profilin e saj në Facebook, Zhupa akuzon qeverinë se po u grabit pronat banorëve për t’ua dhënë investitorëve privatë. Ajo thekson se banorët janë kërcënuar të largohen nga shtëpitë e tyre për t’i hapur rrugë një projekti strategjik.

"Vjedhje dhe skandal të marrësh pronat e qytetarëve, t’i rrafshosh me qëllimin për t’ua dhënë një investitori strategjik," shkruan Zhupa, duke akuzuar ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, se po favorizon interesat private në zonat bregdetare.

Deputetja demokrate denoncoi se qeveria po përshpejton këto procese edhe në muajt e fundit të mandatit të saj, duke premtuar se Partia Demokratike do të jetë në krah të banorëve për të mbrojtur të drejtat e tyre.

"I kam denoncuar që në fillim masakrat që bëhen me këtë ligj për 'vjedhjet strategjike' dhe i garantoj banorët se ne do të qëndrojmë në krahun e tyre," përfundoi Zhupa.

Banorët e Ksamilit kanë dalë në protestë në Sarandë, ndërsa akuzojnë institucionet për mungesë reagimi dhe kërkojnë ndalimin e prishjeve të banesave të tyre.

Të fundit