Flash News

OP-ED

Ditari i rezistencës nga Koloreto Cukali/ Njeriu që do kishte ndërtuar Shqipërinë tjetër

Ditari i rezistencës nga Koloreto Cukali/ Njeriu që do kishte

16 gusht, 2019

“Fatkeqësisht, unë nuk do të kthehem më.”

E thënë me butësi e edukatë, kjo është përgjigjia që një djalë tek të 30-tat i jep tiradës së një burri të vjetër i cili kërkon që ky djalë e shokët e tij t'ua heqin nga duart fatet e këtij vendi këtyre që janë në pushtet, e të ndërtojnë një gjë të re.

Por, djali nuk do të kthehet më. Ai jeton në Itali, me sa më kap veshi në Verona, është shkolluar e punon si ekonomist. Ka ardhur për të vizituar Shqipërinë – jo Drimadhën, Folinë, Havanën e Palasën, sepse ato nuk janë Shqipëria. Ka vizituar në pak ditë Butrintin, Ardenicën dhe Teatrin Kombëtar. Ju ndjek përmes FB, thotë, por nuk kam si ndihmoj. Natën e fundit në Shqipëri ka vendosur ta kalojë në sheshin e Teatrit. Aq mund të bëjë.

E pyes si i duket Tirana. Më thotë që ndërtesat e larta që po ndërtohen, mu në qendër, i kanë bërë ministritë, Bashkinë, Teatrin e gjithçka tjetër në zonën që dikur ishte trashëgimi kulturore të duken si kuti shkrepësesh.

Në Venezia, më shpjegon ai në 1996-n u dogj La Fenice, teatër i ndërtuar në 1790-n, ishte i tëri prej druri. Italianët, e rindërtuan nga e para, ashtu siç ishte. (Sigurisht, Italia nuk drejtohet nga Rama, dhe Bashkia e Venecias nuk qeveriset nga Fusha.shpk.)

Ajo që më bën përshtypje te ky djalë është e folura e shtruar dhe e qetë. Nuk mbart mllefe, nuk nxjerr stërkala pështyme kur flet, nuk urren njeri, dhe përqendrohet të dëgjoj ë e të kuptojë atë që thonë të tjerët. Ka një dashuri për aktorët shqiptarë, ka nostalgji për filmat e vjetër që po t'i zhveshësh nga ideologjia, janë copëra malli të një Shqipërie që nuk është më.

Ky djalë, më kujton një vajzë tjetër të re, studente jashtë, që 3 javët e pushimeve në Shqipëri i kaloi në sheshin e Teatrit, duke bërë roje. Tani nuk duket më, me siguri ka ikur, sikurse do ikë dhe ky djalë e nuk do ta shohim më.

Me njerëz si ky, mund të kishim ndërtuar një Shqipëri tjetër. Një Shqipëri që nuk pështyn; që nuk dhunon njerëz e ndërtesa; një Shqipëri ku bashkohet e nuk përçahet; një republikë të qytetarëve e jo një Emirat të 10 sheikëve, një Shqipëri që drejtohet nga idetë e jo nga parvënytë.

Por, djem si ky, sistemi i ka nxjerrë jashtë me kohë. Ky sistem, mban brenda vetëm Braçet, Taulantballët, Ulsimanjët (dhe Flamurnokët, që mos i ngelet hatri atyre të krahut tejtër) të cilët e kanë shitur shpirtin te shejtani me kohë. E vetmja rrugë që ky sistem u lë është të shndërrohen në personazhet që citova më sipër.

Djem e vajza si këta që po i kalojnë pushimet duke mbrojtur Teatrin i ka përfituar tashmë Italia, Gjermania e Europa. Ata kanë ikur sepse nuk mund të përshtaten dot me një sistem të kalbur, ngritur mbi mediokritet e hajdutëri. Ata, janë akoma të pastër dhe nuk mund të funksionojnë në këtë sistem. Ata NUK DUAN të funksionojnë në një sistem si ky.

Ata, fatkeqësisht, nuk kthehen më.

Dhe po u prish Teatri, nuk do kenë arsye të vijnë as me pushime.

Këtë Teatër duhet ta mbrojmë dhe për ta.

Përveç hajdutërisë, dhunës institucionale, paligjshmërisë e pakushtetueshmërisë, prishja e tij është dhe një vepër mediokriteti në duart e një ish-artisti mediokër dhe një Zyrtari Bashkie po aq mediokër. Këtu është, ndër të tjera, dhe kufiri i hordhive mediokre.

NO PASARÁN!

©Politiko.al

Të fundit