“Ditë zie…”; Ismail Kadare reagon për herë të parë pas ndarjes nga jeta të Moikom Zeqos: Ka qenë i çmuar, do t’i mungojë Shqipërisë

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka thyer heshtjen duke reaguar për herë të pas ndarjes nga jeta në moshën 71-vjeçare të akademikut të njohur Moikom Zeqo.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai e ka cilësuar Zeqon si një nga ata që i mungojnë shumë letërsisë kur largohen nga jeta.

“Ishte një nga ata që krijonte gëzim, gjallëri në jetën letrare. Për këtë, ai ka qenë edhe shumë i njohur. Është nga ata, që i mungojnë shumë letërsisë kur largohen nga jeta”, ka thënë Kadare.

Shkrimtari Ismail Kadare e kujton përmes këtyre fjalëve poliedrikun Moikom Zeqo, të ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit të 15 qershorit.Me të lidhen edhe hapat e parë të Zeqos në krijimtarinë letrare, duke qenë se në botimet e tij të para kanë qenë pikërisht dy ese për romanet “Kështjella” dhe “Kronikë në gurë” të Kadaresë.

Sa i përket veprës së Erudit shqiptar, Kadare shprehet: “Ka qenë i çmuar. Nuk ka qenë i menjanuar, as i pavlerësuar, përkundrazi. Miku ynë, në letërsinë letrare shqiptare tregoi se është e shëndetshme që t’i gëzojmë njerëzit që duan”.

Të ritakuar disa muaj më parë, i pyetur nëse e gjente Moikom Zeqon të ndryshuar nga ai që njihte dikur, Kadare shprehet: “Vështirë ta them. Por jo, brenda limites së gjërave nuk kishte ndryshuar”, duke shtuar se ishte po ai njeri i palodhur.

Kadare vlerëson edhe kontributin e Zeqos përmes zërit kritik dhe mendimit të lirë, pavarësisht përjashtimit të hershëm nga politika si ish-deputet i Partisë Socialiste.

“Ka qenë shumë i pranishëm në ngjarjet e ditës së kohës, por jeta ka ligjet e saj”, ka thënë Kadare, raporton Politiko.al.

Zeqo, edhe në librat e tij, si te “Laburatori i ëndërrës”, tregon për episode ku Kadare shpreh një lloj përkrahje ndaj tij si krijues i ri letrar. Lidhur me këtë shkrimtari shprehet se një qasje e tillë i ka shërbyer edhe nevojës për të shpënë artin dhe letërsinë shqiptare përpara, përmes dashamirësve dhe krijuesve të saj.

“Letërsia ka nevojë për njerëz që ta mbajnë gjallë, që e duan artin dhe janë të lidhur me të. Dhe është ditë zie, sidomos kur njerëz të tillë largohen nga jeta”, përfundon Kadare.

Kujtojmë që dy shkrimtarët janë njohur në vitin 1964 pranë Vilës së Musa Jukës, ku gjendej Lidhja e Shkrimtarëve e gazeta “Drita”. Në atë kohë Zeqo nuk i kishte mbushur ende 15 vjeç, ndërsa Kadare sapo ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik.