E-TJERA

Mbyllet Ura e Milotit, ARRSH: Ja rrugët alternative që duhet të përdorni

Mbyllet Ura e Milotit, ARRSH: Ja rrugët alternative që duhet të

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton mbylljen e plotë të urës auto-hekurudhore të Milotit.

Vendimi vjen pas vlerësimit teknik që konstaton dëmtime serioze në themelet mbështetëse, gërryerje në shtratin lumor si dhe erozion të theksuar të bazamentit, të shkaktuar nga shfrytëzimi i pakontrolluar i zhavorrit të lumit.
Ndërhyrja në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, pritet të nisë  në ditët në vijim.

ARRSH njofton po ashtu që gjatë periudhës së ndërhyrjes, rekomandohet përdorimi i rrugëve alternative: Rruga kryesore Lezhë -Milot dhe Rruga e Kombit. 

Njoftimi i ARRSH: 

Ura auto-hekurudhore e Milotit, me një gjatësi prej 788 metrash, paraqet një rrezik serioz për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e kalimit, si pasojë e:  dëmtimeve të konsiderueshme në themelet mbështetëse, erozionit të theksuar në bazament, për shkak të shfrytëzimit të pakontrolluar të zhavorrit të lumit, dhe gërryerjeve në të gjithë shtratin lumor.

Bazuar në ekspertizën teknike dhe duke marrë parasysh trafikun e rënduar, veçanërisht gjatë sezonit veror, është marrë vendimi për mbylljen e plotë të urës dhe ndërprerjen e qarkullimit, deri në përfundim të projekt ndërhyrjes emergjente që po hartohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës.

Kjo ndërhyrje do të zbatohet menjëherë në ditët në vijim. Ndërkohë, ndërtimi i urës krejtësisht të re është parashikuar nga ARRSH si pjesë e programit “100 Ura”, i cili realizohet me mbështetjen e Bankës Botërore.

Gjatë periudhës së ndërhyrjes, rekomandojmë përdorimin e këtyre rrugëve alternative: Rruga kryesore Lezhë -Milot dhe Rruga e Kombit. 

Të nderuar qytetarë dhe përdorues të rrugës, kjo ndërhyrje është thelbësore për të garantuar sigurinë e të gjithë komunitetit.

Ndërgjegjësohemi për vështirësitë dhe shqetësimet që mund të shkaktojë mbyllja e përkohshme e urës, por kjo masë është e domosdoshme për të shmangur rreziqe më të mëdha dhe për të siguruar një infrastrukturë të qëndrueshme dhe të sigurt në të ardhmen.

Të fundit