Flash News

E-TJERA

Rezistenca ndaj antibiotikëve, studimi paralajmëron miliona vdekje deri në vitin 2050

Rezistenca ndaj antibiotikëve, studimi paralajmëron miliona vdekje

Rezistenca e shumë patogjenëve ndaj antibiotikëve mund të shkaktojë deri në vitin 2050 më shumë se 39 milionë vdekje në mbarë botën. Në 169 milionë vdekje të tjera patogjenë të tillë mund të luajnë së paku një rol. Në këtë rezultat arriti studimi i një ekipi hulumtuesish të udhëhequr nga Christopher Murray nga Universitetiy of Washington në Seattle.

Studimi përdori 520 milionë grupe të dhënash për të përshkruar zhvillimin e rezistencës ndaj antibiotikëve në periudhën nga viti 1990 deri në vitin 2021 në një model kompjuterik. Mbi këtë bazë u krijua një parashikim për vitet e ardhshme, i cili prezantohet në revistën prestigjioze mjekësore “The Lancet”. Të qenët në gjendje për të vlerësuar zhvillimet e ardhshme, është thelbësore për kundërmasat, të cilat shpëtojnë jetë, tha Mohsen Naghavi nga University of Washington, një nga autorët kryesorë të studimit.

Të moshuarit veçanërisht të rrezikuar

Megjithatë zhvillimi është shumë i ndryshëm në varësi të grupmoshave. Ndërsa numri i vdekjeve të lidhura me rezistencën tek fëmijët nën moshën pesë vjeç mundi të zvogëlohej me 50 për qind, te njerëzit e moshës 70 vjeç e lart ai u rrit me 80 për qind.

Farmacia Kranich në Berlin-Charlottenburg
Një arsye e rëndësishme për rezistencën ndaj atibiotikëve është përdorimi i gabuar ose i tepruar i ilaçeve.Fotografi: Sabine Kinkartz/DW

Shtimin e rasteve tek të moshuarit studiuesit e lidhin me efektshmërinë më të ulët apo intolerancën ndaj vaksinave dhe ilaçeve tek të moshuarit, si dhe me numrin më të madh të sëmundjeve te kjo grupmoshë. Për shkak se grupi i popullsisë mbi moshën 64-vjeçare do të rritet në vitet e ardhshme, sipas modelit edhe vdekjet e lidhura me rezistencën në përgjithësi mund të rriten deri në vitin 2050.

Përdorimi i tepërt i ilaçeve

Ekspertët paralajmërojnë prej kohësh për rritjen e rezistencës së baktereve ndaj antibiotikëve. Një arsye e rëndësishme për këtë është përdorimi i gabuar ose i tepruar i ilaçeve. Antibiotikët ndihmojnë vetëm kundër baktereve. Për infeksionet virale, ku bën pjesë shumica e ftohjeve, ato janë joefektive, por rekomandohen ende shpesh. Megjithatë çdo përdorim mund të çojë në shtimin e baktereve rezistente.

Se sa i madh është problemi me rezistencën, nuk është aq e lehtë të përcaktohet, sepse për shembull, nëse gjatë trajtimit të kancerit lindin ndërlikime nga mikrobet multirezistente, shkaku i vdekjes së pacientit zakonisht i atribuohet megjithatë kancerit./DW

Të fundit