Flash News

E-TJERA

SPAK mbyll hetimet për dosjen “Partizani”, dërgon çështjen në GJKKO

SPAK mbyll hetimet për dosjen “Partizani”, dërgon

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për dosjen 'Partizani', në sajë të së cilës janë  të pandehur kreu i PD, Sali Berisha dhe dhëndëri i tij Jamarbër Malltezi, biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja dhe noterja Andia Pustina, duke e çuar në GJKKO kërkesën e nisjes së gjykimit. 

Mësohet se përfaqësuesit e akuzës Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai dorëzuan të martën e 15 tetorit materialin në gjykatë teksa kjo e fundit pritet që të hedh shortin për të caktuar trupën gjykuese ku në listën e 10 gjyqtarëve nuk përfshihet emri i Irena Gjokës.

Kjo e fundit ka qenë trupë gjykuese prej tetorit të vitit të kaluar ku ka miratuar edhe masat e sigurisë, ndërsa ligji përcakton se nuk duhet të jetë më pjesë e procesit.

Kujtojmë se Berisha është hetuar nën masën e sigurisë arrest shtëpie, për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.

 

Të fundit