Flash News

KRYESORE

"Eldi Dizdari po investonte në Tiranë!", gazetari investigativ: 150 milionë euro nga droga, kush është trafikanti i pasur shqiptar

"Eldi Dizdari po investonte në Tiranë!", gazetari

Operacioni “Los Blancos”, i kryer pas 5 vitesh hetime të autoriteteve italiane nga Amerika në Evropë, çoi në shkatërrimin e një rrjeti trafikimi të narkotikëve të drejtuar nga një grup kriminal shqiptar. Mirëpo, ka qenë pikërisht ky operacion i cili vuri në dukje shumat marramendëse të parave të cilat fitojnë personat e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, para këto të cilat më pas edhe investohen në biznese, që ju lejojnë këtyre të fundit zhvillimin më tej të veprimtarisë së tyre kriminale.

Në një lidhje direkte për “Opinion”, gazetari Flamur Vezaj deklaroi se grupet kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës pas fitimit të shumave marramendëse nga veprimtaria kriminale, janë të lidhur me biznese kryesisht në fushën e ndërtimit  dhe të hotelerisë.

Një rast konkret sipas Vezaj është ai i Eldi Dizdarit, i arrestuar pak ditë më parë në Dubai. Gazetari theksoi se ai ishte duke investuar në disa ndërtime në Tiranë, Dhërmi dhe Himarë.

“Në Shqipëri këta persona janë të lidhur me biznese ndërtimi. Kanë qenë të lidhura me kompanitë e lojërave të fatit. Eldi Dizdari ka 2 karburante në Rrugën e Kombit. Këta persona kanë vendosur shumë marramendëse”, tha  Vezaj.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se në çfarë vlerash llogariten të ardhurat e këtyre trafikantëve, Vezaj tha: “Ortaku i Eldi Dizdarit, një personazh nga Lushnja është një person që ka më shumë lekë cash se të gjitha grupet kriminale në Shqipëri. Llogaritet rreth 150 milionë euro. Edhe rasti i Toyota Yaris në Shqipëri dyshohej që ishte i këtij personi nga Lushnja. Të gjithë këta persona funksionojnë përmes agjencive. Lekët cash i lenë garant në agjencinë konkrete dhe tërhiqen në agjencinë në vendin tjetër”.

Duke ju rikthyer sërish rastit të Eldi Dizdarit, gazetari Vezaj tha se ai ishte duke ndërtuar në disa zona të Tiranës.  “Tek fusha e aviacionit ka një ndërtim, buzë Lanës, në Himarë, në Dhërmi ka ndërtime ku është i lidhur Eldi Dizdari. Shpresoj qe autoritetet italiane të arrijnë të marrin të dhëna nga dosja dhe mendoj që do të ketë të dhëna për personazhe të rëndësishëm shqiptarë që kanë patur lidhje me Eldi Dizdarin, qoftë zyrtarë dhe qoftë me ndërtues në Tiranë”.

Të fundit