Flash News

KRYESORE

Emërimi i anëtarit të dytë në Kushtetuese, reagon presidenca: Zgjidhet nga Kuvendi sipas radhës që dikton Kushtetuta

Emërimi i anëtarit të dytë në Kushtetuese, reagon

Vjen reagimi i presidencës pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) shpalli listën përfundimtare të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, e publikuar sot në Fletoren Zyrtare.

I pyetur nga mediat se kur Presidenti Meta do të emërojë gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi thotë se sipas Kushtetutës anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë.

“Nuk ekziston asnjë individ apo institucion sipas Kushtetutës e ligjit, që t’i imponojë Presidentit të Republikës të shkelë Kushtetutën, që në këtë rast është shumë e qartë.

Presidenti i Republikës është në pritje që Kuvendi në datë 11 nëntor 2019 të votojë në seancë zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese dhe menjëherë sipas radhës që dikton Kushtetuta dhe ligji do të dekretojë emërimin e anëtarit tjetër të Gjykatës Kushtetuese që do të plotësojë vendin vakant të ish-gjyqtares, znj.Altina Xhoxhaj.

Presidenti i Republikës në veprimtarinë tij ka treguar se ka qenë garant i Kushtetutës dhe do të vazhdojë të ushtrojë këtë rol edhe përgjatë procesit të ringritjes së Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që i gjithë procesi i ripërtëritjes së saj të mos dëmtohet nga askush dhe që kjo Gjykatë të jetë sa më shpejt funksionale, e aftë për të marrë vendime në mënyrë që t’i japë zgjidhje një sërë çështjeve që shqetësojnë të gjithë jetën shoqërore në vend.

Cilido që ushqen iluzione se duke provokuar dhe duke bllokuar me tej ngritjen e Gjykatës Kushtetuese do arrijë përfitime afatshkurtra politike, do të zhgënjehet shumë rëndë.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është shumë e qartë për këtë çështje dhe Presidenti po kaq i qartë dhe i vendosur në respektimin e saj”, sqaron zëdhënësi i Presidentit.

KED ‘sfidon’ Metën, publikon listën e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, kush kryeson

Të fundit