Flash News

KRYESORE

Euro 2020: Gjermania fiton me "poker", Holanda kualifikim pa gola

Gjermania sonte është argëtuar në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2020, grupi C, duke fituar 4-0 në "Borussia-Park". Skuadra e cila fitoi Botërorin në vitin 2014 nuk ka më shumë yje, por po tregon se ka plot argumente për të besuar te trofeu në verën e ardhshme.

Pjesa e parë nuk qe edhe aq aktive për gjermanët, të cilët gjetën golin e parë në minutat e fundit me mbrojtësin Ginter. Shtatlarti luante tamam në shtëpinë e tij aktuale, stadiumin e Borussia M'Gladbach-ut, dhe e festoi këtë takim me një gol me thembër, i rrallë për një lojtar në rolin e tij.

Pas pushimit, për Gjermaninë gjërat u bënë më të lehta. Bjellorusët lanë shumë hapësira, që u shfrytëzuan nga Goretzka dhe Kroos (2 gola), të cilët vulosën "pokerin" e skuadrës së trajnerit Low. Me këtë sukses, Gjermania ruan vendin e parë në renditje dhe kualifikohet për në Euro 2020.

Holanda gjithashtu siguroi kualifikimin (si vend i dytë në grupin C), por jo me fitore. "Tulipanët" barazuan pa gola ndaj Irlandës së Veriut në transfertë. Ky rezultat, në fakt, mjaftonte për ta matematikisht dhe për kaq u munduan. Vendasit mund të kishin kthyer në gol një penallti nga Davies në pjesën e parë, por nuk qe e shkruar për ta dhe në fund duhej të kënaqeshin me një pikë.

Në grupin F, Austria fitoi 2-1 me Maqedoninë e Veriut duke u kualifikuar në Euro 2020. Izraeli, po në këtë grup, u mposht 2-1 nga Polonia, por pa e humbur kreun. Kroacia, ndërkohë, e kishte të siguruar me kohë kualifikimin si pjesë e grupit G, por kjo nuk e ndali vrullin e saj ndaj Sllovakisë. Kroatët fituan 3-1 dhe sllovakët tashmë rrezikojnë të mos kualifikohen (ranë poshtë Uellsit dhe Hungarisë).

Të fundit