Flash News

OP-ED

Fotoja që gëzoi më shumë Qeverinë se Flor Gogën

Alfred Lela

Një ‘shkrepje’ e fotoreporterit shqiptar Florion Goga ka arritur, jo për herë të parë, të bëjë atë që quhet ‘xhiroja e botës’, duke kapur faqet e para të gazetave të fuqishme amerikane si Washington Post.

Goga është fotograf i agjensisë ndërkombëtare Reuters, te e cila janë të pajtuara thuajse të gjitha gazetat e botës (një zakon që e kishin dikur edhe mediat shqiptare). Praktika e marrdhënieve të agjensisë Reuters me mediat e tjera është e thjeshtë: në bazë të një abonimi, i cili mund të bëhet bëhet në bllok për çdo përmbajtje (content) apo me pagesë (fee) për numër fotosh, palët e abonuara kanë të drejtën e publikimit të fotove apo teksteve të Reuters duke cituar agjensinë.

Kjo ka ndodhur edhe në rastin e fotos në fjalë. E cila, për ata që nuk e kanë parë (më poshtë) është pamja e një vajze shqiptare në hyrje të tregut të Kombinatit duke kaluar një pikë dizinfektimi të vendosur nga autoritetet. Tregu i Kombinatit kapi kronikat e lajmeve disa ditë për mosrespektim të rregullave, më saktë të distancimit fizik, ndërkohë që kryheshin blerjet. Autoritetet, me të drejtë, bënë disa ndërhyrje, ndër të tjera duke instaluar një lavazh dizinfektant.

[caption id="attachment_374042" align="alignleft" width="1010"] Tiranë, Shqipëri: Qytetarët kalojnë përmes një pike dizinfektimi para se të hyjnë në tregun e fruta-perimeve, teksa autoritet kanë marra masa për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Foto: Florion Goga/Reuters[/caption]

Nuk është masa e marrë, pra vendosja e kësja pike që e bëri foton të lakmueshme, por syri i fotografit. I cili kishte kapur një vajzë të hijshme, veshur me të zeza (edhe maskën në këtë ngjyrë) duke kaluar përmes cërkave të solucionit që e bënin atë të dukej, më shumë se ‘viktimë’ e Covid-19, një diva gjatë një koncerti. Fotoja, mund të thuhet, kishte arritur të kapte një moment të lartë estetik në një kontekst mjerimi, siç është pandemia dhe përpjekjet e popullatës shqiptare dhe botërore për t’i shpëtuar asaj.

Ky është një intepretim jo ‘i fryrë’ i fotos dhe ‘jetës’ së saj.

Një jetë të dytë, fantazmagorike dhe të tepruar, i ka gjetur asaj Taulant Balla, numri 2 i PS dhe bashkë me të kori i medias pro-qeveritare. Me pak fjalë dhe sipas tyre fotoja kapte thelbin e reagimit qeveritar ndaj korona-virusit, dhe epitete të tjera suksesesh imagjinare që, me të gjitha siguritë, editorët amerikanë të Washington Post-it etj., nuk i kanë pasur fare në mend.

Fotoja, siç ka qenë ‘bijë e rastit’ kur është lindur në gishtin e ftografit dhe pixelat digjitalë, po aq rastësisht ka gjetur edhe rrugën për te ballina e gazetës amerikane. Në asnjë moment ajo nuk ka qenë akt politik. As Flor Goga nuk e ka menduar si të tillë, dhe as Cameron Barr dhe Emilio Garcia-Ruiz, dy editorët përgjegjës të WP.

Këtë ‘jetë të dytë’ fotos ia ka shpikur Balla, pa e pasur ajo dhe pa e pasur ndërmend për të as zotërinjtë e lartpërmendur. Kjo qasje, kuptohet, është përpjekja propagandistike e paprecedent për ngritur përmendore suksesi edhe nga lavazhet e dizinfektimit. Nuk është, sigurisht, më groteskja: nuk i ofrohet askund teatralitetit me qese ushqimesh dhe fotografi, në një raport të zhdrejtë (1 qese 10 foto) që shkon gjithmonë në favor të fotove, sigurisht.

Duke harruar një gjë kryesore në proces: fotografia nuk e tregon kurrë historinë e vërtetë. Ajo kap vetëm një të dhjetën e ngjarjes dhe një të njëmijtën e kontekstit. Provën për këtë mos e kërkoni te fjalët e këtij editoriali, por te, ta zëmë, fotot në Instagram dhe Facebook, tuajat apo të atyre që njihni. Fotot janë janë momente që ‘vetja rrëfimtare’ nxjer në dritë për të mbuluar ‘veten përjetuese’.

Kështu, edhe fotoja e Flor Gogës rrëfen një nanogram Shqipëri, por asnjë përjetim të saj.

‘Fabrikën e përjetimeve’ e ka në pronësi qeveria.

©Politiko.al

Të fundit