Flash News

NDËRKOMBËTARE

Fragmentarizimi i PE-së, përplasje Francë-Gjermani për kreun e Komisionit Europian

Fragmentarizimi i PE-së, përplasje Francë-Gjermani për kreun

Zgjedhjet për Parlamentin Europian përfunduan dhe kanë dhënë verdiktet e tyre në rang kombëtar dhe Bashkimi Europian, duke prodhuar një PE edhe më të fragmentarizuar sesa më parë.

Megjithatë, Franca dhe Gjermania u përplasën këtë të hënë mbi lidershipin e ardhshëm të BE-së, në një garë për të siguruar kush më pak e kush më shumë postet kyçe në bllokun që ka bilancet tregtare më të mëdha në botë.

Nacionalistët, liberalët dhe partitë e gjelbra anembanë BE-së kanë fituar terren, në dëm të partive të qendrës, siç është edhe ajo e Kancelares gjermane Angela Merkel, CDU, e cila ka dominuar Parlamentin Europian përgjatë 4 dekadave të fundit.

Partia liberale e presidentit francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje këtë të hënë për një “kandidat për president të Komisionit Europian që do të mund të krijojë një shumicë të qëndrueshme dhe përtej linjave partiake”, duke sugjeruar kështu se po kërkon një alternativë të Manfred Weber, kandidatit të mbështetur zyrtarisht nga Gjermania për kreun e Komisionit.

Parlamenti i ri dhe Komisioni i ri do të luajnë një rol qendror në riformësimin e qëndrimit të BE-së mbi çështje kyç si tregtia globale, ndryshimet klimatike apo rregullatorët ndaj industrisë së teknologjisë.

Pascal Canfin, numri dy në listën e partisë së Macron, tha se Weber ishte “totalisht i skualifikuar sot”. Një tjetër zyrtar i lartë francez shtoi se “ne nuk jemi pro tij, e kurrë më parë s’kemi qenë, ndërsa tani jemi në pozicion më komod për të shpjeguar arsyen”.

Megjithatë, Annegret Kramp-Karrenbauer, udhëheqësja e Unionit Kristian-Demokratik të qendrës së djathtë në Gjermani, apo pasuesja e Merkelit në parti, tha se zgjedhjet e së dielës kanë forcuar pretendimet e Weber për postin e kreut të Komisionit. Merkel vet është nën presionin e partisë së saj për të qëndruar në krah të kolegut.

Macron, nga ana e tij ka përshkallëzuar përpjekjet për kërkimin e një tjetër kandidati, madje duke ftuar kryeministrin socialist spanjoll, Pedro Sanchez, për darkë në Pallatin “Elysee” mbrëmjen e kësaj të hëne. Macron do të takohet edhe me udhëheqës të tjerë europianë gjatë mesditës së të martës, në Bruksel, ku do të diskutohen edhe postet e tjera të larta, përfshi këtu kreun e Bankës Qendrore Europiane, përpara se të zhvillohet një samit informal i BE-së në mbrëmje.

Gjithsesi, nacionalistët e djathtë europianë, që zgjeruan gjithashtu territore, janë të vendosur ta bëjnë praninë e tyre të ndjeshme. Matteo Salvini tha se fitorja bindëse e Lega Nord-it me 34 për qind të votave në Itali ishte një mandat për lehtësime taksash, duke përmbysur kështu rregullat fiskale të BE-së, një përgjegjësi mjaft e lartë për një italian në Bruksel. Salvini, megjithatë, tha se ishte në bisedime për të krijuar një grup të ri nacionalistësh në Parlament, me të paktën 100 eurodeputetë.

“Republika në marshim” e Macronit u mposht me shumë pak vota nga “National Rally” e Marine Le Pen, lëvizje e ekstremit të djathtë, por hyn për herë të parë në Parlamentin Europian me më shumë se 20 eurodeputetë. Presidenti francez pret që të jetë në linjën e parë të një grupimi liberal që do të formësojë zgjedhjet kryesore në agjendën e Komisionit, Këshillin Europian të krerëve të shteteve, Bankën Qendrore Europiane dhe vet Parlamentin.

ALDE, grupi liberal paneuropian me të cilin bashkëngjitet Macron, synon të luajë rolin e “kingmaker”-it në Parlamentin e ri. Liberalët refuzuan argumentin e Weber se, si udhëheqës i grupit më të madh pas zgjedhjeve ka të drejtën parësore për të pretenduar postin e rëndësishëm.

“Në këto momente, asnjë kandidat për presidencën e Komisionit nuk ka siguruar një shumicë në PE. Duhet të jemi ekstremisht vigjilentë ndaj çdo përpjekjeje për të lënë pas krahëve negociatat e domosdoshme mes palëve të interesit të zgjedhura në mënyrë demokratike, pasi do të ishin ekstremisht të dëmshme për transparencën dhe përgjegjshmërinë e këtij procesi demokratik evropian”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të partisë së Macronit dhe grupit ALDE.

Megjithatë, Weber ka marrë sërish mbështetjen e palëkundur nga Berlini. Kramp-Karrenbauer tha se objektivi i partisë së saj është të jetë kontingjenti më i fuqishëm gjerman për t’i dhënë Weberit një “fllad shtytës” nga Berlini, “ndaj është më se e qartë se ai është kandidati ynë kryesor dhe njeriu i vetëm për president të Komisionit Europian. E ne e kemi arritur këtë objektiv”.

Merkel nuk ka komentuar ende mbi kandidatin bashkëkombas të saj që prej mësimit të rezultateve paraprake të natës së të dielës. Një deputet i CDU-së, aktualisht në qeveri, tha se Merkel do të “dëmtohej” nëse do të vendoste të tërhiqte kandidaturën e Weberit. Partia e këtij të fundit, simotra bavareze CSU e asaj të Merkelit, pësoi rritje me një pikë në 6.3 për qind, ndërsa votat e CDU-së pësuan rënie.

Catherine de Vries, profesoreshë për politikat në “Free University Amsterdam” dhe eksperte mbi Parlamentin Europian tha se liberalët dhe aleatët e tyre kanë momentin e tyre dhe mund ta shfrytëzojnë këtë, ndërkohë që qendra e djathtë humbi terren të konsiderueshëm.

Të fundit