Flash News

KRYESORE

Fundjava e parë pa kufizime pas 3 muajsh pandemi, deri në 1 qershor nuk lejohet dalja nga zona e kuqe

Pas gati tre muajsh, qytetarët shijojnë fundjavën e parë pa kufizime në lëvizje.

Masat e rrepta dhe lëvizja me fasha të përcaktuara orare u vendos nga autoritetet shtetërore për shkak të pandemisë covid-19 që preku vendin tonë, zyrtarisht që në 8 mars.

Kështu, autoritetet kanë vendosur që këtë fundjavë të hiqen kufizimet e lëvizjes dhe aktiviteteve të biznesit në çdo zonë, kurse deri në 1 qershor nuk do të lejohet dalja nga perimetri i zonave të kuqe, siç është Tirana, vatra kryesore e infeksionit.

Po ashtu, vijojnë të mbeten ende të mbyllura transporti publik, për të cilin po hartohet një protokoll i veçantë me Ministrinë e Transporteve që do të bëhet publik së shpejti.

Hapja në 1 qershor

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë të ditur të gjitha aktivitet që do të lejohen prej 1 Qershorit duke zbatuar në mënyrë strikte masat dhe protokollet e sigurisë. Pas rekomandimeve nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, në 1 Qershor do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin dhe do të hapen çerdhet e kopshtet, një seri aktivitetesh dhe kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin e detyruar dy javor dhe duke e vendosur atë vetëm për raste specifike.

Duke bërë të ditur se edhe plazhet do të hapen prej 1 Qershorit, ministria sqaroi se kush nuk zbaton procedurat e publikuara do të penalizohet.

Do të lejohen nga data 1 Qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit si dhe palestrat sipas protokolleve të sigurisë.

Ndërsa deri më datë 23 Qershor do të mbeten të mbyllura aktivitetet kulturore, kinematë, teatrot, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferencat dhe dëgjesat publike.

Të fundit