Flash News

KRYESORE

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv fundos Skënderbeun, 10 vite nuk luan në Evropë

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) nuk e ka ndryshuar dënimin për klubin e Skënderbeut, duke i tronditur tifozët korçarë, që për 10 vitet e ardhshme nuk do të shikojnë skuadrën e tyre të zemrës të luajë në kompeticionet evropiane.

Në bazë të dënimit, klubi bardhekuq është fajtor për trukim rezultatesh, ndërkohë që do të duhet që të paguajë edhe një gjobë prej 1 milionë eurosh.

“Paneli i CAS arriti në përfundimin e kënaqshëm se Skënderbeu ishte përgjegjës për aktivitetet: manipulime ndeshjesh dhe arriti në konkluzionin se sanksionet disiplinore të dhëna nga komisioni disiplinor i UEFA-s ishin në përmasë të drejtë dhe të justifikuara. Në përputhje me këtë, ai hodhi poshtë apelimin dhe konfirmoi vendimin”, ishte përfundimi i CAS.

Në Korçë, tifozët edhe drejtuesit shpresonin shumë që nga CAS do të vinte një përgjigje pozitive, pas apelimit të bërë nga klubi, por në fuqi u la dënimi i dhënë nga Komisioni i Apelit më 26 prill 2018.

Tani, e ardhmja e një prej klubeve më të suksesshme të viteve të fundit në Shqipëri duket e zymtë. Fakti që nuk do të ketë më të drejtë të luajë në kompeticionet evropiane, do të thotë që nga bardhekuqtë do të largohen futbollistët cilësorë, të etur për të luajtur në kompeticione evropiane.

Vendimi i CAS

Gjykata arbitrazhit sportit ka hedhur poshtë apelimin nga klubi futbollit shqiptar Skënderbeu kundër vendimit të dhënë nga Komisioni i Apelit të UEFA-s më 26 prill 2018, i cili konfirmoi vendimin e dhënë më 29 mars nga komisioni i UEFA-s për Etikën dhe Disiplinën, i cili e shpalli Skënderbeun përgjegjës për aktivitete të ndryshme manipulimi ndeshjesh, dhe e përjashtoi klubin nga kompeticionet e UEFA-s për të cilat do të kualifikohej në 10 vitet e ardhshme dhe urdhëroi klubin të paguante një gjobë prej 1 milionë euro.

Në maj 2018 Skënderbeu apeloi në CAS duke kërkuar që vendimi dhe sanksioni disiplinor të anulohej. Arbitrazhi i CAS u zhvillua nga një panel juristë të KAS të cilët zhvilluan një mbledhje me palët në zyrat e CAS në 16 prill 2019.

Në bazë të evidencave, paneli i KAS arriti në përfundimin e kënaqshëm se Skënderbeu ishte përgjegjës për aktivitetet: manipulime ndeshjesh dhe arriti në konkluzionin se sanksionet disiplinore të dhëna nga komisioni disiplinor i UEFA-s ishin në përmasë të drejtë dhe të justifikuara. Në përputhje me këtë, ai hodhi poshtë apelimin dhe konfirmoi vendimin.

Të fundit