Flash News

KRYESORE

Gjyqi i Tahirit/ Përgjimet e Moisi Habilajt implikuan në skandal policinë shqiptare: Ai te radarët është miku im

Gjyqi i Tahirit/ Përgjimet e Moisi Habilajt implikuan në skandal

Dje, në një seancë të gjatë prej rreth tetë orësh u zhvillua seanca për ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ai akuzohet për tri vepra penale: ‘Trafikimi i narkotikëve’, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, ‘Grup i strukturuar kriminal’ dhe ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’, konkretisht të Habilajve.

Lidhur me akuzën që Tahiri ka favorizuar Habilajt, duke u garantuar atyre mbrojtje, Tahiri e kundërshtoi ashpër këtë fakt.

Ndërkohë në përgjimet e zbardhura, në operacionin e forcave italiane, të zhvilluar edhe në Shqipëri në 6 maj të vitit 2015, zbulohet se forcat e Policisë së Vlorës ishin të përfshira në trakun e drogës, duke i krijuar kushtet trafikantëve të vepronin të qetë dhe të ngarkonin sasinë e lëndëve narkotike në “Porto Palermo” të Vlorës, në të cilat është përfshirë dhe Policia shqiptare.

Madje, aq i sofistikuar ishte rrjeti i Habilajve, sa që kishin dhe policë, të cilët i informonin nga salla qendrore e Kontrollit të Radarëve në Tiranë, dhe që i udhëzonin trafikantët për rrugën detare që duhet të përshkonin, në mënyrë që të mos kalonin në ujërat territoriale të shtetit grek.

Në qendër të përgjimeve është Moisi Habilaj, i cili ka pritur në 6 maj dy bashkëpunëtorët italianë, Rosario Giuliano dhe Giuseppe Greco, të cilët kanë ardhur në Shqipëri në bordin e Peshkarexhes me emrin “Fatima”.

Pjesë nga përgjimet:

Rreth orës 1:00, të 6 majit të vitit 2015. Peshkarexha me emrin “Fatima”, me në bord Giuliono dhe Grecos, po afrohej në brendësi të ujërave territoriale shqiptare. Qartësisht, këta do të vendosnin kontakt telefonik me Moisi Habilajn, sapo t’i ishin afruar brigjeve. Atyre do t’u afrohej një gomone, e cila do t’i çonte në vendin ku do të behej ngarkesa e substancave narkotike. Gomonia është afruar te bankina e peshkarexhes “Fatima”, dhe në bord është ngjitur Moisi Habilaj, i cili u ka dhënë Giulianos dhe Grecos indikacione për operacionin e ngarkimit dhe lëndës djegëse, që do të duhej për t’u rikthyer në Itali me ngarkesën e narkotikëve.

Moisi Habilaj: Duhet të me gjesh një litar… Do i bëjmë 5 me 5 bidonat… dhe 10 me 10. I lidhim kur të nisemi… E pe makinën e policisë që kaloi?

Rosario Giuliano: Ajo me drita të bardha? Ajo është nga tanët?

Moisi Habilaj: Këtu janë të gjithë të tanët… Por nëse ka ndonjë gru q**rë nuk dihet…! Sepse nuk e dinë të gjithë këtë… Për këtë të them që duhet të qëndrojmë dy orë me m**tin sipër…(drogën)… 5 minuta pam-pam dhe ikën.. këtu jam unë. Jemi 7 persona… jemi ne 4 vëllezërit… është djali që ishte këtu dhe që doli nga “Piaza Lanza” (Sabaudin Çelaj)…ka një muaj që ka dalë nga arresti shtëpiak. Janë dhe dy nipër të tjerë të mi… Nuk ka njerëz të tjerë këtu… Nëse ndodh ndonjë gjë e papritur, janë minimalisht 20 persona të vdekur… minimumi (qesh)…keni peshkuar? (Pjesa nuk dëgjohet mirë).

Moisi Habilaj: Ai mori sepse është në sallë… Si i thuhet. Salla është në portin tjetër të qytetit. Ai më shikon çdo gjë. Edhe peshqit arrin të shikojë nga aty. Sepse ai është një mik i një mikut tonë… E kanë pyetur kush është kjo anija… dhe ai i ka thënë cila anije? Si ka mundësi që ka hyrë rreth një milje në ujërat territoriale greke…

Çfarë deklaroi dje Saimir Tahiri

Tahiri tha se Policia e Shtetit në 2/ 10/2013, fill pas episodit të parë kur akuzohet të jetë përfshirë se ka favorizuar Habilajt, kishte dërguar procedim penal ndaj shtetasve Moisi dhe Florian Habilaj për akuzat e heqjes së paligjshme të lirisë. “Si mundet që unë t’i dërgoja ata në procedim për sa kohë i favorizoja në trafikun e drogës?!”, ka thënë Tahiri.

Sipas prokurorisë, trafikimi është kryer me një peshkarexhë me emrin Fatima. “Prokuroria”- tha Tahiri, e lë të mjegullt faktin se asokohe janë fikur radarët. Por unë në cilësinë e ministrit, i jam drejtuar as kohe me shkresën e datës 29/10/2013, (shkresë sekrete) koleges time, ministres Kodheli, duke e informuar se nuk punon radarët.

 

Të fundit