Flash News

KRYESORE

Gjysma e kryebashkiakëve shqiptarë nuk justifikojnë dot pasurinë e tyre

Gjysma e kryebashkiakëve shqiptarë nuk justifikojnë dot

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes analizës së thelluar të deklaratave të pasurisë tregojnë se më shumë se gjysma e kryetarëve të bashkive në Shqipëri kanë mospërputhje financiare dhe nuk mund të justifikojnë pasurinë e tyre për një ose më shumë vite të karrierës.

Prej vitit 2015, ILDKPKI ka referuar në Prokurori tre kryetarë bashkish me akuzën e deklarimit të rremë të pasurisë-çështje të cilat janë pushuar me argumentin e mungesës së provave.

Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi sugjerojnë se niveli i mospërputhjeve në deklaratat e pasurisë së politikanëve lokalë është shumë herë më i lartë se sa numri i padive të ngritura nga ILDKPKI.

Një analizë e të gjitha deklaratave të pasurisë që 61 kryebashkiakët aktualë kanë dorëzuar deri në fund të vitit 2017 zbulon se 54 për qind e tyre nuk mund të justifikojnë rritjen e pasurisë së tyre për të paktën 1 vit të karrierës. Në total, shuma e pajustifikuar nga burimet e deklaruara kap vlerën e 201 milionë lekëve [1.6 milionë euro].

Deklaratat e pasurisë së kryebashkiakëve aktualë u analizuan me ndihmën e tre ekspertëve financiarë, të cilët i kategorizuan dhe i hodhën në një databazë të dhënat e siguruara nga deklaratat e pasurisë. Informacioni u analizua duke përdorur metodën e kontrollit aritmetik-logjik; një prej formave të përdorura nga ILDKPKI gjatë verifikimit të pasurisë së zyrtarëve publikë.

Kontrolli aritmetik-logjik krahason të dhënat financiare familjare si dhe informacione të tjera me deklarimet e mëparshme, për të “identifikuar të dhëna mbi të ardhura ilegale të fshehura” në transaksionet e kryera nga politikanët, sipas manualit të Këshillit të Europës për analizimin e të ardhurave dhe aseteve të zyrtarëve publikë.

Me fjalë të tjera, ky kontroll shpjegon nëse paratë që politikani deklaron se ka përfituar  përputhen me asetet dhe paratë e shpenzuara prej tij.

Mospërputhjet mes të ardhurave në hyrje dhe shpenzimeve të kryera nuk janë domosdoshmërisht të paligjshme. Megjithatë, këto mospërputhje ngrejnë “flamuj të kuq”, që normalisht kërkojnë verifikime të thelluara nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.

*Marrë me shkurtime nga ‘BIRN’

Të fundit