Habit Sandër Lleshaj: Polici ka të drejtë të ushtrojë dhunë në dobi publike

Për ministrin e  Brendshëm, Sandër Lleshaj dhuna është monopol i shtetit dhe policia ka të drejtë të ushtrojë dhunë për dobi publike, dhe se kushdo tjetër që e bën këtë është në kapërcim ligji.

Deklarata erdhi në emisionin ‘Java’ në RTSH. Lleshaj arsyetoi se policia ka të drejtë të marrë çdo masë, qoftë edhe ushtrim dhune. Duke u ndalur te protesta e Aleancës për Teatrin, ministri tha se policia u soll siç duhet e sipas protokolleve, e se policia ishte ‘viktima’ e dhunës.

“Unë them që policia shtetit është sjell në mënyrë proporcionale sipas protokolleve që kërkohet nga policia për një prostestë të pa lajmëruar ku u shoqërua me akte dhune ndaj policisë. Policët kanë më shumë të drejta se protestuesit. Punonjësit kanë shkuar të urdhëruar, pasi nëse nuk shkojnë duhet të largohen nga detyra. Njerëzit e shtypit kanë një mision për të bërë, jo për të ushtruar dhunë. Dhuna është monopol i shtetit, dhe ka të drejtë ta bëjë në mënyrë të ligjshme atë. Kushdo tjetër që ngre dorën ëshë në kapërcim ligji. Punonjësi i Policisë ka për detyrë të ushtrojë dhunë në dobi publike. Jemi në fazën e foshnjërisë politike në demokraci. Dhuna nuk është opsion dhe duhet të heqim dorë. Politikanët e nivelit të lartë e përdorin në artikulimin e tyre dhunën si mungesë alternative. Ne duhet ta heqim nga artikulimi dhe përdorimi. I kam kërkuar policisë vetëpërmbajtje disa here”, tha Lleshaj.