Hashim Thaçi kundër të gjithëve, paralajmëron veprime konkrete me homologun Aleksandër Vuçiç

Përkundër faktit se fuqitë e mëdha janë shprehur kundër tezës për korrigjimin e kufijve, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh në një prononcim për ‘Reuters’ se ai do të paraqiste planin e tij para Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç kur ata të takohen në shtator në Bruksel, si pjesë e një dialogu të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian.

“Një rishikim i kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, do t’i lejojë të dyja vendet të lëvizin drejt anëtarësimit në BE” ishte kjo deklarata që dha Presidenti i Kosovës.

Normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe është një kusht kyç për Serbinë dhe Kosovën që të përparojnë drejt qëllimit të tyre përfundimtar të anëtarësimit në BE. Fqinjët e Ballkanit ranë dakord në vitin 2013 për të zgjidhur të gjitha çështjet pezull, por deri më tani kanë bërë pak përparim.

“Definitivisht tani është momenti për të korrigjuar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, që është rreth 400 kilometra,” tha Thaçi.

“Kjo do të ndihmonte në shmangien e problemeve ndëretnike dhe krijimin e çfarëdo rajoni autonom si Republika Srpska (në Bosnjë)”.

Thaçi nuk tha atë që Serbia mund të marrë në këmbim për heqjen dorë nga një territor i tillë – shtëpi për rreth 55,000 shqiptarë etnikë – dhe hodhi poshtë çdo ndarje të Kosovës përgjatë vijave etnike.

“Korrigjimi i kufijve definitivisht do të shmangë ndarjen e Kosovës, duke shkëmbyer territore, më shumë krizë apo probleme ose ndoshta edhe një luftë të re”, shtoi kreu i shtetit.